Votimi për marrëveshjen me Maqedoninë në parlamentin grek, që ishte parashikuar për të enjten në mbrëmje, u shty për në orët e para të së premtes, për t’i dhënë mundësi një numri të madh deputetësh që të flasin për këtë çështje.
Kundërshtarët e marrëveshjes thonë se ajo dëmton identitetin kombëtar të Greqisë. Votimi pason një debat të nxehtë për këtë çështje të mërkurën. Ndërsa zhvillohet seanca policia greke është në gatishmëri për të mbajtur nën kontroll protestat kundëtr marrëveshjes.
Parlamenti grek pritet ta ratifikojë marrëveshjen e Prespës, megjithëse me një shumicë të vogël ndërsa kryeministri i majtë, Alexis Tsipras duket se ka siguruar mbështetjen e të paktën 151 prej 300 deputetëve të nevojshëm. Ata nuk janë të gjithë nga partia e tij.
Dje në debat, deputetja e partisë Syriza në pushtet, Athanasia Anagnostopoulou, tha se marrëveshja do të zgjidhje një çështje kombëtare që ka zgjatur 30 vjet.
“Marrëveshja e Prespës është veprimi i parë parandalues, stabilizues, dhe paqësor që ka ndodhur në rajon”, tha ajo.
Por George Kourmoutsakos, i partisë kryesore opozitare Demokracia e Re, e quajti marrëveshjen një gabim.
“Një nga ato gabime që nëse ndodhin, është e vështirë të korrigjohen, shumë e vështirë. Ka ardhur koha për përgjegjësi, koha që ose të thuhet një ‘po’ e madhe, ose një ‘jo’ e madhe. Ne themi me forcë ‘jo’! Ju thoni një ‘po’ të dëmshme. Dhe duhet ta dini se populli grek dhe historia nuk do t’ju falin”.
Kryeministri Tsipras i mbijetoi një votëbesimi javën e kaluar, pas daljes nga koalicioni të partnerit të djathtë të tij.
Një anketë në gazetën lokale Thema arrin në përfundimin se 66 për qind e grekëve janë kundër marrëveshjes.
Përkrahës të Partisë Komuniste greke vendosën banderola në muret e Akropolit që shprehnin kundërshtimin ndaj marrëveshjes që ndryshon emrin e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut dhe do t’i hapte rrugë hyrjes së vendit në NATO.