Zyra Federale e Mjedisit në Gjermani ka bërë thirrje për të hequr dorë nga hedhja e fishekzjarrëve privatisht. Me këtë mund të ulet sasia e gazit ndotës e “kjo ndihmon shëndetin e pakëson plehrat në rrugë”, u shpreh drejtuesja e saj, Maria Kratzberger për gazetën gjermane, “Rheinische Post”. Në Natën e Vitit të Ri shënohet një rritje e menjëhershme e gazrave ndotës. „Më 1 janar në shumë vende, përqëndrimi i gazrave ndotës të imët është shumë më i lartë se gjatë vitit?
Por Gerd Landsberg, drejtuesi Shoqatës së Komunave e Qyteteve Gjermanë ëstë kundër këtij ndalimi. “Ne duhet ta respektojmë traditën e fishekzjarreve, është një traditë e gjatë në Gjermani që të presësh vitin e ri me fishekzjarre”, kundërshton Landsberg në gazetën “Passauer Landspresse”. Njerëzit shprehin me fishekzjarret gëzimin, por edhe shpresën e tyre për një vit të lumtur. Rregulla e ndalime ka shumë, megjithatë kërkon Landsberg duhen respektuar rregulloret e sigurisë.
Bukë në vend të fishekzjarreve
Zëvendëskryetarja e CDU-së, Julia Klöckner u shpreh për gazetën „Spiegel” kundër forcimit të rregulloreve, rregullat ekzistuese, sipas saj, mjaftojnë. Sigurisht ka gjithmonë të pakujdesshëm që rrezikojnë njerëzit pranë, tha Klöckner, por kjo ndodh kudo edhe në jetën e përditshme. Ndërkohë peshkopi i Bambergut bëri thirrje për heqjen dorë vullnetarisht nga fishekzjarret. “Bukë në vend të fishekzjarreve”, është motoja edhe e organizatës evangjeliste “Bukë për botën”. Më shumë se 800 milionë vetë në botë vuajnë nga uria, me këto para që shkaktojnë zhurmë dhe ndotjeje të panevojshme, mund të ushqehen miliona vetë në botë.