Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi nga kryetarja e Kuvendit, Nikolla të ndërpresë seancën dhe të thërrasë kryeministrin Edi Rama të vijë e të japë llogari për dy ngjarjet e rënda të ditëve të fundit.
Sipas Bardhit, zhvillimet e fundit për inceneratorët tregojnë se afera e inceneratorëve nuk është personale e Ahmetaj, por e qeverisë.
“Përpara se të flas për kërkesën, besoj se është në nderin tuaj që sa kohë brenda 4 ditëve kanë ndodhur dy ngjarje për të cilat kryeministri duhet të japë llogari. Ndërprisni seancën dhe i kërkoni kryeministrit të vijë. E papranueshme që Rama fshihet pas Rrajës dhe Arben Ahmetaj. Ky është thelbi i qeverisjes së një njeriut. Kryeministri të vijë të japë llogari për licencën që i ka dhënë deputetit në kundërshti me ligjin dhe që shkatërroi shtëpitë e një fshati dhe kjo nuk mund të kalohet me dorëheqjen e deputetit. Ka një kërkesë të SPAK për arrestimin e zëvendësit të tij. Aty përmenden dhe 4 ministra të tjerë dhe nuk është aferë personale, por e qeverisë së Ramës. Është i vetmi që nuk ka folur për ngjarjet e rënda që tregojnë thelbin e qeverisjes së tij”, tha Bardhi.
Gazmend Bardhi u shpreh se Rama e ka në burg një grup parlamentar dhe po formon edhe një tjetër. Sipas tij, për rastin Ahmetaj ka një përgjegjësi politike dhe është e përfshirë e gjithë qeveria.
“Nuk mund ta kalojë në heshtje duke bërë sikur po zgjidh hallet e gjithë botës ndërkohë që nuk ka zgjidhur hallet e korrupsionit të vet qeveritar. Ka formuar një grup parlamentar aktualisht në burg, po formon edhe një grup tjetër. Të na sqarojë qoftë rastin e Krujës dhe aferës së inceneratorëve. Nuk është përgjegjësi individuale e Arben Ahmetajt ajo që ka sjellë prokuroria. Ai mban përgjegjësi penale, por ka një përgjegjësi politike. Është e gjithë qeveria e përfshirë në aferë. Shoh Elisën që ngre dorën, i sugjeroj të mos e marrë fjalën. Ajo është një aferë që përfshin Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Të lërë kafet në zyrë dhe negociatat në distancë me Arben Ahmetajn. Pas asaj kalojmë tek shqyrtimi i kërkesës për ndryshim të rendit të ditës”, tha Bardhi.