Politika Debate në PD/ Murrizi përplaset me Nokën: Kush e votoi Bardhin dhe...

Debate në PD/ Murrizi përplaset me Nokën: Kush e votoi Bardhin dhe Gjekmarkajn? Berisha tha “sulm”, por ne e kemi trajnerin me të kuqe

Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me polemika mes mbështetësve të hershëm të Sali  Berishës dhe ish-njerëzve të Lulzim Bashës që tashmë janë kthyer në “partizanë” të kryedemokratit .

Myslim Murrizi ishte njëri prej anëtarëve të Këshillit i cili shprehu pakënaqësi për mënyrën se si u ri-afruan në PD Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj apo edhe Jorida Tabaku

Debatet

Myslim Murrizi: Do mërziteni nga ajo që do them, por s’e kam problem. Bën gabim që nxjerr mediat jashtë, (i  drejtohet Palokës).

Berisha tha “sulm”, por ne e kemi trajnerin me të kuqe. Me çfarë ta bëjmë sulmin? Me mbrojtës? Kush ka gjuajtur nga ju?

Berisha i ka bërë listat e drejtuesve politikë, por ke qenë ti Flamur që i ke fry në vesh. E kemi parë ne media me kohë listën e drejtuesve të qarqeve.

Agron Gjekmarkaj ka thënë do hidhem nga ballkoni po erdhi Berisha. Jorida Tabaku tha vdiq Berisha politikisht.

Si mund të motivohen demokratët? Ne e nisëm foltoren që të ketë vlerë vota. Por Bardhi dhe Gjekmarkaj nuk u zgjodhën me votë. Erdhën si të bashkuar në diversitet e na u bënë diversantë. Të vijnë të votohen.

Myslim Murrizi pyet Gazment Bardhin: Pse s’e ke çuar emrin e Berishës si anëtar i Grupit Parlamentar?

Gazment Bardhi: Nuk është e vërtetë, është dërguar në maj.

Myslim Murrizi: Pse drejtuesit politikë mos të votoheshin? A do ngjisni ju nëpër qarqe? Duhet të jemi të ndershëm me anëtarësinë. Nëse Berisha do të jetë i arrestuar, harrojeni se do ngjisim tek qytetarët.

Gjysma e këtyre që do marrin mandatet do të të përjashtojnë ty prapë, – i drejtohet Flamur Nokës. Si hyjmë në qeveri teknike? Keni bërë pazar me Ramën? Na e sqaroni.

Edi Paloka: Qëllimi ynë të mundësojmë qeveri teknike. Askush s’ia ka hequr të drejtën e fjalës.

Flamur Noka: Drejtuesit politikë janë tagër i Kryetarit të PD-së.  Mund t’i fryj në vesh unë ose dhe ti Myslim, por nuk ndikohet Sali Berisha. Drejtuesit politikë janë drejtuesit politikë të partisë. Flamur Hoxha dhe Xhelal Mziu, s’janë drejtues politikë, por kanë marrë rezultat shumë të mirë në 2021-in. A kemi defekte dhe të meta? Po kemi. Po të ishim të përkryer do ishim hyjnor.

Kemi tre vite që zihemi mes vetes, sepse na ka përçarë Rama, ndërsa sot jemi bashkë. Rama investohet pafund që ne të turremi ndaj njëri-tjetrit. Çdonjëri prej nesh ka detyrë të respektojë institucionet e partisë.

Jemi duke hyre në një betejë pa kthim dhe pa ndalim. Dhe kjo betejë jo vetëm e jona, por e të gjithëve, ndaj të stopojmë sulmet ndaj njëri-tjetrit dhe të dalim bashkë kundër Ramës.

Bardhi ka bërë betejën më të fortë në Kuvendin e Shqipërisë, kundër Ramës. Gjekmarkaj ka folur më shumë së asnjë kundër arrestimit politik të Sali Berishës, këtu dhe në institucionet ndërkombëtare.