Futja me procedurë të përshpejtuar e projektligjit për ndërtimin e portit turistik të Durrësit, e ktheu parlamentin në një plate debatesh të forta ku shumica dhe opozita i drejtuan njëra-tjetrës akuza reciproke për lidhje ruse e serbe.
Për kreun e grupit kuvendor demokrat, pas nxitimit të qeverisë për të miratuar këtë dokument fshihet një megaaferë korruptive.
Enkelejd Alibeaj: Jeni noterë të një veprimtarie okulte me shumë gjasa korruptive të qeverisë.
Kaq mjaftoi që kryeministri për afro 50 minuta të shpërthente në akuza dhe etiketime ndaj atyre deputetëve të opozitës që ishin në sallë si ushtarë me pagesë të atyre që morën paratë ruse.
“Jeni të mallkuar si bedela ju që jeni këtu se bartësit e mallkimit për vendin janë ata që mungojnë këtu. Ju jeni ca të mbaruar, ju jeni ca të pafytyrë, ju jeni ca njerëz që nuk keni as fe, as atdhe. Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Ngritën çadrën ku ju si dele shkonit përditë dhe mblidheshit atje dhe blegërinit për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj sepse ju jeni të shitur. Sulmoni si llaxore të marra investitorët që mezi i sjellim në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Rama u mor personalisht me çdo deputet që nga vendi replikoi me të.
“Ti je vetëm një gojë që vazhdon jeton duke bërë bishtin e “non gratës”, u shpreh ai duke iu drejtuar Alibeajt.
“Ti bëj kujdes, shiko proceset që ke. Ti je si miza nën të ndenjurat e kalit që kujton se tërheq karrocën se ke dhe ditë të vështirë sot, të mirëkuptoj”, tha duke iu drejtuar Salianjit.
“Pusho me atë fjalor se nuk je në festën e gjelave të detit të Peqinit”, u shpreh Rama për deputetin Dashnor Sula.
Në debatin për projektin e Portit të Durrësit, edhe pse shumë minuta më vonë u përfshi dhe kryedemokrati Berisha dhe Zv/Kryeministrja Balluku.
“Pas aferës së Durrësit qëndrojnë vëllezërit Kariç, të sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania, dhe tani bëjnë biznes së bashku me Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç”, tha Berisha.
“Një investim prej 2 miliardë eurosh që s’kemi nga t’i marrim se do vijnë në formë investimi, as i jep kush, as nuk i merr kush. Se aty e keni mendjen ju, kush do i marrë lekët. Do t’i shërbejë Kosovës, RMV dhe Serbisë patjetër. Janë pjesë e Ballkanit të hapur”, u shpreh Balluku.
Në mungesë të mundësisë për të replikuar në sallë, Berisha doli para mediave në oborrin e Kuvendit ku përsëriti akuzat se projekti bëhet për interesat e Vuçiçit dhe grupeve serbe që e financojnë dhe se pikërisht për këto abuzime, sipas tij në protestën e 12 Nëntorit, shqiptarët do ta rrëzojnë Edi Ramën.
“Revolta popullore e shqiptarëve kundër këtij regjimi që nuk ndalet së vjedhuri ata”, tha Berisha.