Kryesore DEBATET/ Deputetët e PD-së i kërkojnë Bashës të largohet. Gjekmarkaj jep dorëheqjen

DEBATET/ Deputetët e PD-së i kërkojnë Bashës të largohet. Gjekmarkaj jep dorëheqjen

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Partia Demokratike ka mbledhur grupin parlamentar ku kanë shpërthyer kritikat ndaj kryetarit Lulzim Basha.

Basha ka thënë që në fillim të mbledhjes së rezultati i këtyre zgjedhjeve ka qenë larg pritshmërive dhe se nuk ka humbur, por se ishin një kurth ndaj tij. Në këtë moment kanë ndërhyrë deputetët të parët deputetët Ferdinand Xhaferi, Helidon Bushati që i kanë kërkuar Bashës të largohet.

Pas kritikave, Basha iu drejtua deputetëve: “Ose rrimë bashkë dhe riorganizojmë partinë, ose ia dorëzojmë Sali Berishës. Synimi Berishës është ta marrë PD për t’u mbrojtur nga non-grata”.

Ndërsa Agron Gjekmarkaj, nënkryetari i Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Kuvendit ka dhënë dorëheqje nga funksionet partiake.

Gjekmarkaj është shprehur gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Grupin e PD se ai do të qëndrojë vetëm në funksionin e deputetit të thjeshtë, ndërkohë që do heqë dorë nga posti i nënkryetarit të PD-së dhe nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

“PD është në gjendjen të keqe, rrezikojmë të shuhemi. Kam ndjerë përbuzje! Do mbetem deputeti i thjeshtë”, mësohet të ketë thënë Gjekmarkaj gjatë mbledhjes së PD-së.

DEBATET

Lulzim Basha: 6 marsi ishte kurth pas 8 janarit dhe ne u vendosëm para detyrimit për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ferdinand Xhaferri: Jam më i vjetri dhe me më eksperiencë, s’kam ambicie, por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyllur me PD-në, por ti na ke fyer kur thua s’kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar.

Lulzim Basha: S’kam humbur asnjë garë. I kanë vjedhur.

Dashnor Sula: Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson me asnjë kështu

Ilda Dhori: Të hapen zgjedhjet në parti.

Helidon Bushati: Duhet zgjedhje përtej egove tona. Duhet të ikësh. Kryetar, është koha për lëvizje në parti. Kur them lëvizje nënkuptoj ndryshime të rëndësishme përtej egove tona.

Basha: Dy rrugë ka. Ose të rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ia dorëzojmë Sali Berishës. Synimi Berishës është të marrë Partinë Demokratike për t’u mbrojtur nga SHBA.