Kryeministri britanik Boris Johnson në një intervistë për CBC News në Kanada tha se ai nuk beson se virusi COVID-19 doli nga një laborator kinez në provincën Wuhan, por po monitoron provat e reja që po publikohen.
“Deri më tani, provat që kam parë nuk sugjerojnë që të ketë një dalje të virusit nga laboratori. Gjërat që kam parë sugjerojnë që për momentin, i dyshuari numër një për origjinën e kësaj sëmundjeje është ende një sëmundje me origjinë nga kafshët e egra”, tha Johnson.
Presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi ndihmësit e tij për të gjetur përgjigje për origjinën e virusit që shkaktoi COVID-19, duke thënë së fundmi se agjencitë e inteligjencës amerikane po ndjekin teori rivale duke përfshirë mundësinë e një aksidenti laboratorik në Kinë.
Sipas Biden, agjencitë e inteligjencës po shqyrtojnë dy skenarë të mundshëm, por ende nuk kanë besim të fortë në konkluzionet e tyre dhe po debatojnë shumë.
Përfundimet u hartuan në një raport për Biden, i cili i kërkoi ekipit të tij në mars të detajonte nëse koronavirusi “doli nga kontakti njerëzor me një kafshë të infektuar apo nga një aksident laboratorik”.
Zbulimi i Biden për publikun rreth vlerësimeve jopërfundimtare të inteligjencës amerikane zbuloi një debat që po zhvillohej brenda administratës së tij se ku lindi koronavirusi i ri.