Ligjvënësit europianë në një debat të zhvilluar të mërkurën janë shprehur pro hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, ata kanë vlerësuar se BE duhet të ndryshojë qasjen ndaj vendeve aspirante, në mënyrë që të mos humbasë kredibilitetin e tij.
Përballë entuziazmit dhe bindjes së komisionerit Johannes Hahn për hapje të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Qershor, eurodeputetët kanë treguar realizëm. Ata janë të informuar se vendimi rrezikon të mos merret në Qershor për shkak të disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por të shtyhet.
Charles Tannock, eurodeputet: Vitin e kaluar ju keni rekomanduar që Këshilli i Ministrave të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të cilën jam krenar që firmosëm një letër ku propozonim kryeministrat Zaev dhe Tsipras për çmimin Nobel. Nuk ka pengesa tani për Këshillin e ministrave për të marrë vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në rastin e Maqedonisë së Veriut. Shpresoj, që të kemi lëvizje në fund të 2019.
Kati Piri, eurodeputete: Në Qershor, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian pritet të marrin vendim nëse do hapen negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Grupi im shpreson që vendimi të jetë pozitiv për të dyja vendet. Gjithsesi, personalisht, do të kisha preferuar që Komisioni mos ta prezantonte këtë rekomandim si një paketë, duke qenë se është në kontradiktë me parimin tonë që çdo vend vlerësohet në bazë të meritës. Por grupimi socialdemokrat nuk sheh arsye për shtyrje të vendimit.
Eduard Kukan, eurodeputet: Mendoj se me të vërtetë, të dy vendet meritojnë atë që sugjeruat ju. Në Shqipëri, ne po shohim sërish një klimë të brendshme tepër të tensionuar politike. Ata do kenë zgjedhje lokale më 30 qershor dhe varet nga politikanët vendas të dalin mbi interesat partiake dhe të marrin vendime që i shërbejnë popullit shqiptar. Populli shqiptar e meriton vërtetë këtë. Por edhe ne duhet të rishikojmë instrumentet tanë që kemi në dispozicion që të mund të përdorim presion pozitiv, përndryshe kredibiliteti dhe autoriteti ynë do të humbasë.
Eurodeputetë të tjerë kanë insistuar në ndryshimin e mënyrës së monitorimit të reformave të vendeve aspirante.