A mund të përfytyrohet Nata e Vitit të Ri pa fishekzjarrë? Për shumë gjermanë, hedhja e tyre përbën pamjen e zakonshme të festimeve. Por kësaj tradite tani mund t’i vijë fundi. E për këtë fund ka arsye të forta.
Fillimisht një urim me shampanjë, pastaj përjashta për të ndezur fishekzjarrët. Kjo është zakonisht rrjedha e Natës së Vitit të Ri në Gjermani. Një natë për të cilën gjermanët me dëshirë paguajnë. Vitin e kaluar, Shoqata e Industrisë Piroteknike arriti të bëjë 133 milionë euro xhiro. Fishekzjarret janë traditë tanimë në Gjermani. Që para vitit të ri, shumë njerëz i blejnë kapsollat apo lloje të tjera fishekzjarrësh, ndryshe nga disa vende të tjera. Në disa qytete europiane si Parisi apo Dublini, fishekzjarret hidhen në mënyrë të organizuar në disa pika në qytet dhe jo privatisht.
Rrezik për njerëzit dhe muret
Një traditë me probleme. Sepse hedhja e fishekzjarreve ndot ambientin. Fëmijët tremben nga zhurma dhe çdo vit ka disa qindra të plagosur përmes shpërthimeve të pakontrolluara apo gabimeve në ndezjen e fishekzjarreve. Tani disa qytete në Gjermani kanë reaguar. Aacheni, një qytet pranë kufirit belg-holandez, këtë vit për herë të parë i ka ndaluar kapsollat, që hidhen me më shumë se dy metra lartësi. “Ne duam të mbrojmë godinat tona historike. Para 9 vjetësh pati zjarr në një kishë Natën e Vitit të Ri, duke e dëmtuar rëndë altarin e kishës”, thotë Linda Plesh nga bashkia e Aachenit. Në pjesën historike të qytetit, katedralja e vjetër, shtëpitë karakteristike dhe ato antike qëndrojnë gati ngjitur me njëra-tjetrën. Tani ndalohen shumë lloje fishekzjarrësh. Po shuhet kështu një traditë e preferuar?
Trendi është kufizimi i hedhjes së kapsollave
Në pamje të parë duket se në Gjermani vërtet festa e Vitit të Ri do të ketë atë pamje si në Paris, në qytetin, ku zhvillohet shou me drita dhe laser, kurse hedhja privatisht e fishekzjarreve është e ndaluar. Edhe New Jorku dhe Sydney i kanë ndaluar fishekzjarrët privatisht. Në New Jork nuk është tipike hedhja e fishekzjarreve, sepse tradicionalisht ata përdoren në Ditën e Pavarësisë. Po kështu edhe në Francë. Aty organizohet ndezja e fishekzjarreve, privatisht nuk lejohet.
Në Gjermani, sipas një sondazhi të Institutit të opinionit, YouGov, tre nga katër të anketuar janë për ndalimin e plotë ose kufizimin e ndezjes së fishekzjarreve. 33% janë për ndalimin e plotë të tyre. Edhe ambientalistët apelojnë për ndalimin e plotë të fishekzjarreve. Organizata Gjermane e Ndihmës për Mjedisin (DUH) ka kërkuar nga qytetarët që të dorëzojnë peticione në komunat e tyre për ndalimin e fishekzjarreve. Sipas DUH Nata e Vitit të Ri ndikon mjaft në ndotjen e mjedisit, me një rëndim të emetimit të grimcave të imta ndotëse me 5000 tonë brenda pak orësh. Kjo i përgjigjet afër 16% të sasisë së grimcave ndotëse që emetohen në vit nga automjetet.
Ekonomia i bashkohet trendit
Ambientalistët dhe përkrahësit e ndalimit të fishekzjarreve marrin mbështetje edhe nga ekonomia. Për herë të parë disa rrjete të mëdha tregtare kanë deklaruar, se nuk do të shesin më në të ardhmen kapsolla apo fishekzjarre të tjerë. Hornbach është një qendër shitjeje për materiale ndërtimi. Nga viti i ardhshëm kjo qendër nuk do të ofrojë më fishekzjarrë. Që këtë vit rrjetet e mëdha të supermarketeve gjermane, Rewe dhe Edeka i kanë hequr nga raftet fishekzjarrët. “Ne heqim dorë nga fitimi, dhe nuk e dimë si do të reagojnë klientët” thotë Christoph Windges, që drejton një qendër të madhe supermarketi në landin e Renanisë Veriore-Vestfali për dpa.
Në Gjermani janë bërë hapat e parë për një Natë të Vitit të Ri pa hedhje fishekzjarrësh provatisht. Por jo gjithkund është kështu. Dhe nuk është gjithmonë ruajtja e mjedisit një faktor për ndalimin e fishekzjarreve, por shpeshherë siguria. Si për shembull në Mynih. Ky qytet bazohet në rreziqet për sigurinë që paralajmërohen nga policia. Për DW nga bashkia e qytetit thuhet, se nuk jemi shumë të sigurtë, “nëse e kalon pa asnjë dëm Natën e Vitit të Ri”. Prandaj ky qytet ka ndaluar fishekzjarret në disa pjesë historike të qytetit dhe në qendër. Por në pjesë të tjera hedhja e fishekzjarreve lejohet. Edhe heqjen e ofertës së fishekzjarrëve e ka bërë vetëm një pakicë e supermarkteve. Debati sapo ka filluar, dhe për disa ai është më shumë një “debat simbolik”./DW