Fotoja me Ardian Çapjen, subjekt i OFL-së, është bërë temë debati këtë të enjte në emisionin “Opinion” mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Klodiana Lala.
Rama deklaroi se fotoja është bërë në hollin e hotelit dhe Çapja ka të tjera fotografi me të.
Sipas tij, fakti që ka bërë fotografi me atë person nuk tregon asgjë. Kreu i qeverisë deklaroi ndër të tjera se “nuk ka asnjë pishman” për foton.
Edi Rama: Ky është holli një hoteli ku unë kam qenë duke hyrë apo duke dalë. Më kanë ardhur këta persona dhe më thanë a mund të bëjmë një fotografi. Nuk kanë vetëm këtë fotografi. Kanë dhe një tjetër të varur në mur të bërë shumë vite më parë, sepse në ato dy tre herë që kam qenë atje kam qenë për evente. Në atë hotel ka një sallë konference, kemi bërë fotografi dhe çfarë tregon kjo?
Klodiana Lala: A ishit ju i informuar që kjo pronë, është e një personi që OFL ka deklaruar dy ditë më parë që ka urdhëruar vrasje?
Edi Rama: Jo, jo jo… Nuk isha i informuar dhe nuk kam asnjë problem me këtë foto. Ka dhe një foto tjetër që e kanë vënë në mur ata.
Klodiana Lala: A u shqetësuat kur e patë këtë foto, që mund të ishit të rrezikuar?
Edi Rama: Fare, fare. Zonjë ne jemi bashkë këtu, mund të bëjmë fotografi, por nuk jemi në shoqëri këtu. Unë jam këtu në shoqërinë e Fevziut që ka ardhur me shoqërinë e vet. Punët e policisë janë të policisë, punët e mia janë të miat…
Klodiana Lala: Këtij zotërisë këtu i keni dërguar një formular. Ajo vajza me syze e OFL-së i ka vajtur atje… Ky zotëria do duhet të ishte prapa hekurave. Do duhej të kishte përgjigje edhe për të vrarët në familjen e tij. OFL përtej të tjerave që është një akt normativ në kundërshtim me ligjin
Edi Rama: Mos i hy fare se qenke komplet tap-topi ndaj kësaj fushe…
Klodiana Lala: Mos më intimido zoti Kryeministër. Kam bërë shkollë për këtë punë…
Edi Rama: U qava nga Mark Marku, po ku e ke Mark Markun o Fevzi? Kjo qenka…. ç’qenka kjo mo? Ke 10 minuta që flet përçart.
Klodiana Lala: Zoti kryeministër do japësh përgjigje…
Edi Rama: Do jap përgjigje por t’i duhet ta mbyllësh gojën kur flas unë!
Blendi Fevziu: O Klodi, po të fut në kurth. Mos e merr personale. Ke shkuar në një vend të pacertifikuar. Jepi përgjigje kësaj.
Edi Rama: OFL nuk e çoj unë, e çon ligji. Dhe ky është subjekt i tij. Sa i përket fotografisë nuk kam asnjë pishman, e bëj edhe njëqind herë të tjera se nuk kanë lidhje fare këto gjëra. Ju doni të lidhni gjëra që nuk kanë lidhje.
Operacioni Forca e Ligjit disa ditë më parë i dërgoi formularin për deklarimin e pasurisë Ardian Çapjes. Sipas OFL-së, ai është i dyshuar për një sërë vrasjesh në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje ndërsa në Qershor të vitit 2016 qëlloi ndaj Policisë. Sipas Policisë, Çapja së bashku me të afërm të tij ka kryer dhe vrasje me pagesë përgjatë viteve 2009-2016.