“Unë e dua Pep, ai është një jokonformist”, – tha Rio Ferdinand, legjenda e United dhe rivali i madh i City, pasi “Citizen” fituan Premier League e tretë në katër vite, me Guardiolën si trajner. Sidoqoftë, kur Robbie Savage, gjithashtu një ish-futbollist dhe shok i skuadrës së “Sky Sports”, tha se katalanasi ishte “trajneri më i mirë që kam parë ndonjëherë në Premier League”, Ferdy iu përgjigj me një tallje: “Ju duhet të merrni xhaketën dhe të largoheni pas kësaj”. Emri nuk doli në shesh, por kuptohet se tekniku që Ferdinand kishte në mendje nuk ishte askush tjetër përveç Sir Alex Ferguson. Fergie ishte ai që e mori Rion në “Old Trafford” nga Leeds United.
Së bashku ata fituan gjashtë kampionate dhe një Champions, midis titujve të tjerë të panumërt. Savage donte të sqaronte se ai mori parasysh rekordin global të Pep te Barcelona, Bayerni dhe tani te Manchester City. Njëherazi shtoi që, nëse arrin ta mposhtë Chelsea në finale e 29 majit dhe fiton Champions-in, Pep do të ishte ndoshta trajneri më i mirë në histori. Është e qartë se palët nuk pajtohen në këtë pikë, por kjo ka krijuar një debat interesant, që “Daily Mail” donte ta shtjellonte.
Krahasimi duket i pamundur që fituesi të mos jetë Ferguson, kjo vlen për Premier League. Guardiola ka qenë në zonën blu të Manchesterit prej pesë vitesh tashmë, duke marrë parasysh sa të paqëndrueshme janë fazat e trajnerëve sot në pankina. Por, 21 sezonet e Sir Alex në lagjen rivale duken të paarritshme as në ëndërr. Për momentin, 13 ligat e fituara nga skocezi nuk kërcënohen nga tre të spanjollit, megjithëse Guardiola barazohet me përqindjen e suksesit me legjendën e Manchester United: 0.6 liga për sezon si trajner. Aty ku Pep triumfon është në përqindjen e fitoreve (73.8% kundrejt 65.1% të skocezit) dhe në golat për ndeshje (2.43 karshi pak më shumë se 2 për Fergie). Jetëgjatësia e Guardiolës në krye të “qytetarëve” do të shënjojë më tej krahasimin.
Suksesi gjithashtu i shoqëroi të dy, para se të zbarkonin në kampionatin elitar anglez. Sidoqoftë, Guardiola mbërriti aty i “shenjtëruar”. Në vitin e tij të parë me Barcelonën, Pep fitoi absolutisht gjithçka, duke nënshkruar “gjashtëshen” për t’u mbajtur mend gjatë. Me 14 tituj në total; tri La Liga dhe dy Champions, ai u largua nga klubi katalanas. Këtij “palmaresi” i shtoi edhe katër trofe më vonë, kur shkoi në Mynih. Me Bayernin triumfoi në Gjermani, por dështoi në Europë, megjithëse shtoi shtatë arritje të reja në rekordin e tij. Të cilin e plotëson me “dhjetëshen” e Anglisë. E gjitha kjo për gjithsej 24 tituj.
Ferguson është fituesi absolut, pasi 36 herë ka qenë kampion i një gare, por mesatarisht është nën trajnerin aktual të “qytetarëve”. Për 30.8 ndeshje kishte nevojë Pep që të fitonte një titull, karshi 59.8 ndeshjeve të Sir Alex. Skocezit iu deshën pak më shumë kohë për ta shijuar “mjaltin” e triumfeve të mëdha, edhe pse në 12 vitet si trajner, para se të ulej në “Teatrin e Ëndrrave”, kishte kohë për të bërë histori me Aberdeen. Me “Dons” ai arriti t’i jepte fund duopolit të Celtic dhe Glasgow Rangers, duke fituar tre kampionate të ligës në tetë vite dhe, ndër të tjera, mbahen mend një fitore e madhe në “Recopa 1983” kundër Real Madridit të Camacho, Juanito apo Santilla, drejtuar nga Alfredo Di Stefano në stol.
Ndërsa fitoret në total janë për Ferguson, mesatarja e tyre i buzëqesh Guardiolës. Më konkretisht: 1.253 fitore në 2.155 ndeshje për skocezin, domethënë 58.1% sukses. 541 fitore në 710 ndeshje për spanjollin, ose 73.1% sukses. Krahasimi i epokave është shumë i ndërlikuar, kontekstet e bëjnë pothuajse të pamundur që rrethanat të zhvillohen në kushte të ngjashme. A do jetë Guardiola jetëgjatë si Ferguson? A do ta parakalojë skocezin në terma absolutë? A do të barazohen përqindjet me kalimin e kohës? Koha, si pothuajse gjithmonë, do të jetë gjykatësi që do t’iu përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve. Ajo që nuk është e diskutueshme; po flasim për dy nga trajnerët më të mëdhenj në historinë e futbollit.