Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i ktheu përgjigje akuzave të opozitës në lidhje me rrugën Thumanë-Kashar, për të cilën ishte thirrur në një interpelancë në Kuvend.
Balluku tha se sot Shqipëria ka nisur ta ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat e BE.
“Kur flitet për autostrada Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe qeveria shqiptare sot mund të shprehen krenarë se Shqipëria ka filluar të ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat e BE. Duhet të kemi parasysh që sot Shqipëria kryeson listat e destinacioneve turistike si një nga vendet me interesin më të madh të të huajve. Infrastruktura është një nga kolonat mbajtëse të zhvillimit ekonomik të vendit e sidomos turizmit që sot është kontributor kryesor në ekonominë e vendit”, tha ajo.
Sipas Ballukut, nuk ka pasur asnjë ndryshim të projektit të rrugës Thumanë-Kashar. Nyjet e parashikuara në projekt, sipas zv/kryeministres janë ndërtuar.
“Thashë që për shkak të kërkesave për sigurinë rrugore dhe për të ruajtur nivelin e certifikimit të rrugës ka pasur ndërhyrje të shumta të cilat kanë qenë publike, kanë qenë transparentë. Ky është projekt i dezinjuar nga WBIF. Ka qenë një projekt që është ndarë në forume të ndryshme dhe nuk ka qenë i fshehtë për askënd. Megjithatë duhet thënë që 4 nyje Thumanë-Kashari nuk i ka pasur, e nderuar. Thumanë-Kashari ka dy nyje që janë pjesë e projektit. Pjesë e studimit kanë qenë 3 nyje dhe ajo e Gramëzës. Dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara dhe nuk ka asnjë ndryshim nga projekti fillestar i miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH. Bëhet fjalë për hyrjen e Rinasit dhe hyrjen e Kasharit. Ajo nyje që do zgjidhë problemin e Thumaëns, e si rrjedhojë Fushë Krujë dhe Krujës është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do vazhdojë. Pra nga Thumana në Milot dhe është vetëm 4 kilometra larg mbikalimit ekzistues sot, sepse ka një mbikalim në Gramëz. Ky i fundit për t’i dhënë një zgjidhje provizore”, tha Balluku.
Ajo u shpreh se është takuar me banorët e Thumanës dhe u ka dhënë atyre një zgjidhje.
“Kështu që në orët e vona apo në orët e hershme unë banorët e Thumanës, i kam takuar, i kam dëgjuar dhe i kam dhënë dhe zgjidhje. Ndryshe nga çfarë thoni ju qeveria Rama ka veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë. Ka dëshirën për të adresuar kërkesat e komuniteteve, por sigurisht duke kuptuar mirë që interesi i një individi nuk mund të prevalojë interesat e komuniteteve apo interesat e rajoneve, apo edhe të gjithë vendit. I kemi dhënë një zgjidhje provizore banorëve të Thumanës, të cilët këtë duhet ta dish sepse the gjëra të pavërteta ndaj mirë është të sqarohesh, ka rrugë alternative dhe ajo video që vure këtu për të dëgjuar duke kopjuar liderin tënd suprem, të të sqaroj që nuk i lëviz asnjë fjalë. Është parim që të gjitha rrugët që do të ndërtohen me pagesë duhet të kenë rrugë alternative. Sot që flasim Thumana ka rrugë alternative. E di kush është kërkesa? Që rruga alternative është e gjatë dhe nuk është në gjendje të mirë dhe kjo është e vërtetë. Të gjitha rrugët alternative janë të gjata.
Do të ketë një nyje të dedikuar në hyrje të Thumanës e cila është pjesë e projektit Thumanë-Milot që nis menjëherë. Jemi në fazën e firmosjes së kësaj kontrate. Ndërkohë në orët e vona kur takoj njerëzit dhe ti shqetësohesh për orët e vona, kemi sqaruar që në mënyrë provizore ata do të aksesojnë mbikalimin ekzistues të Gramëzës me një rampë të dedikuar që do të ndërtohet për ta në javët në vazhdim duke zgjidhur kështu deri ditën kur do të kemi rrethrrotullimin dhe mbikalimin në zonën e hyrjes së Thumanës dhe atëherë do të pushojë të kemi zgjidhjen provizore”, tha Balluku.