Rusia ka reaguar ashpër për dëbimin e diplomatit të saj nga Tirana.
“Moska është e keqardhur për vendimin e Tiranës zyrtare për të dëbuar një diplomat rus dhe do të kundërpërgjigjet ndaj kësaj lëvizjeje armiqësore, e cila shihet si provokim dhe dëmtuese për marrëdhëniet bilaterale“. Kështu shkruajnë këtë të premte mediat ruse, si Sputnik dhe agjencia RIA Novosti, të cilat përcjellin reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse, një ditë pasi vendi ynë shpalli non grata një diplomat të këtij vendi, për shkelje të vazhdueshme të masave anticovid.
“Jemi tejet të keqardhur, pasi kjo është dukshëm një provokim kundër marrëdhënieve Rusi-Shqipëri. Sigurisht, ky hap armiqësor, nuk do të mbetet pa përgjigje”, tha zv/ministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko.
Të enjten, Ministria e Jashtme e vendit tonë, teksa dha lajmin për dëbimin e diplomatit Alexey Krivosheev tha se kishte kontaktuar më ambasadorin rus në Tiranë duke i shprehur atij shqetësimin për shkeljen e vazhdueshme të masave anticovid, nga ana e diplomatit të Ambasadës Ruse në vendin tonë.
Në të njëjtën kohë, Tirana zyrtare tha se shpresonte që ky vendim do të gjente mirëkuptimin e Moskës, “si një masë e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit”, ndërsa e siguroi palën ruse “për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.
Sipas burimeve diplomatike, diplomati Krivosheev, kishte thyer së fundmi karantinën, duke qenë se ishte prekur nga Koronavirusi.
Një reagim pati mbrëmjen e së enjtes edhe Ambasada ruse në Tiranë, e cila i cilësoi të pabaza arsyet e dhëna nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për dëbimin e diplomatit rus.