Aktualitet Dëborë deri në 40 cm në Mirditë

Dëborë deri në 40 cm në Mirditë

Situata nga moti në qarkun Lezhës, gjatë orëve të pasdites paraqitet përgjithësisht e qetë dhe reshjet e dëborës momentalisht janë ndërprerë. Aktualisht territori po përshkohet nga erëra të forta, të cilat kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve të rënda në urën e Milotit, në aksin e vjetër, ku një kamion u rrëzua nga era. Nga policia e qarkullimit rrugor janë marrë masat për ndalimin e qarkullimit të mjeteve të rënda, si dhe në akset ku ka patur dëborë është monitoruar qarkullimi.

Në Bashkinë Lezhë – Ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona, si shkak i erës së fortë dhe po punohet nga forcat e OSHEE për riparimin e defekteve. Në orët e pasdites në fshatin Ishull Lezhë, është rrëzuar një pemë, e cila ka bllokuar qarkullimin. Ndërhyrja e forcave të MZSH ka normalizuar situatën.

Në Bashkinë Kurbin – Nuk raportohen problematika deri në këto momente. Megjithatë, në disa fshatra dhe lagje të qytetit ka mungesë të energjisë elektrike, për të cilat po punohet nga personeli i OSHEE për t’i riparuar. Shtabi i Emergjencave në bashki është në gatishmëri për të përballuar çdo situatë.

Në Bashkinë Mirditë – Reshjet e dëborës janë ndërprerë në gjithë territorin e kësaj bashkie. Trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 cm në zonën e Nënshejt, Ndërshenës, Lajthizës, Njësia Administrative Orosh. Bashkia ka ndërhyrë në disa akse për pastrimin e rrugëve të bllokuara nga dëbora në Njësinë Administrative Fan dhe Orosh. Grupet e punës të OSSHE kanë qenë në terren ku kanë bërë të mundur riparimin e defekteve të linjave elektrike të dëmtuara. Sa i përket furnizimit me ujë, nuk raportohet për probleme.