Autori i golit të fitores për Italinë në ndeshjen e tretë në grup ndaj Uellsit, Mateo Pessina, e cilësoi debutimin e tij me përfaqësuesen perfektë.
“Të luash ndeshjen e parë në një Europian dhe të shënosh, është një ëndërr që do të më lërë pa gjumë për ditë me radhë. Sa keq që nuk ka dy çmime për njeriun e ndeshjes”, u shpreh lojtari i Atalantas pas shpalljes së Chiesa-s si futbollisti më i mirë i këtij takimi nga UEFA.
Ndërkohë, trajneri Mancini u shpreh pas triumfit të tretë radhazi, madje pa pësuar as gol, se më mirë se kaq nuk mund të shkonte për kombëtaren që ai drejton.
Mancini: Nuk mund të shkonte më mirë se kaq
“Nuk mund të shkonte më mirë se kaq. Mund të kishim shënuar një gol më shumë. Djemtë u treguan shumë të zotët”.
Kështu u shpreh trajneri i Italisë Roberto Mancini pas fitores së tretë në grup në Euro 2020 ndaj Uellsit, 1-0, me gol të shënuar nga Pessina.
“Edhe nëse do të kisha në dorë për të ndryshuar diçka, nuk do ta bëja. Lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Verrati? Sot kemi treguar se të gjithë mund të jenë titullarë. Të gjithë bënë atë që duhet të bënin, madje edhe më shumë”, shtoi Mancini.
Me fitoren ndaj Uellsit, Italia e Mancinit arriti 30 ndeshje pa humbje, duke barazuar rekordin e Vittorio Pozzo mes viteve 1935-1939. “Jam ende mbrapa. Pozzo ka fituar shumë trofe të rëndësishëm. Ne ja kushtojmë këtë fitore të gjithë atyre që kanë vuajtur shumë në këtë një vit e gjysmë”, tha Mancini.
Sa i përket fazës së ardhshme, Mancini u shpreh: “Të gjithë ata që kalojnë grupet janë në garë për të fituar. Edhe ne kemi vështirësi. Të gjitha ndeshjet janë të vështira”.