Ka nisur në Portin e Durrësit stërvitja e madhe ushtarake me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore në Europë. Gjatë ceremonisë që u zhvillua mbajti një fjalim të shkurtër edhe kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi marrëdhëniet me SHBA-në e NATO-n dhe tha se kjo stërvitje e madhe ushtarake është një pikë e rëndësishme në ngjitjen e marrëdhënieve në pikat më të larta. Praninë e forcave të NATO-s në Durrës, kryeministri Edi Rama e quan një moment historik. Ai uroi që kjo stërvitje të pasohet nga të tjera ndërsa u shpreh më tej se “Defender 21” jep përgjigje të drejtpërdrejtë për qëndrimin e Shqipërisë krah për krah SHBA-së dhe NATO-s.
“Prania juaj këtu është një moment historik për të gjithë. Na mbush me krenari dhe përgjegjësi. Do të qëndrojmë besnikërisht krah për krah jush si një vend që nga pikëpamja numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj aleance, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë aleancë unikale për botën tonë, dëshirojmë të jemi gjithmonë e më të denjë dhe gjithmonë e më të vyer brenda kësaj aleance. Suksese në këtë stërvitje unikale për gjithë historinë e marrëdhënieve tona që shpresoj se do të pasohet nga të tjera për t’i dhënë gjithë rajonit një mesazh shumë të qartë, por dhe përtej rajonit, kujtdo që ka nevojë për përgjigje të drejtpërdrejta lidhur me qëndrimin tonë të vendosur brenda kësaj aleance në krah të SHBA-ve dhe të gjitha vendeve të tjera që kanë vendosur që për lirinë dhe demokracinë të paguajnë çdo çmim”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shprehu gjithashtu dëshirën që personat që vijnë në Shqipëri, duan të kthehen sërish aty.
“Gjenerata jonë u rrit me idenë se ju nuk duhet të ishit lënë kurrë të shkelnit në këtë vend. Ne u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se jeni e keqja më i madhe që mund t’i ndodhë jo vetëm Shqipërisë, por gjithë botës. Për gjeneratën tonë është mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën mes këtyre botëve. Mes asaj bote të errët dhe mes kësaj ku presim me nderim dhe respekt miqtë dhe partnerët tanë, mbi të gjithë miqtë dhe partnerët tanë amerikane. Dua të besoj se pas zbarkimit në Shqipëri do t’ju ndodhë ajo që i ndodh të gjithëve kur vijnë në Shqipëri. Shqipëria nuk është vend i këshilluar për të ardhur, por Shqipëria është një vend që kush vjen dëshiron të kthehet sërish. Kam dëshirë dhe besim se kjo do të ndodhë edhe me ju”, tha Rama.
Gjatë stërvitjes ushtarake “Defender Europe 21” do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stërvitjen e përvitshme të këtij viti Defender-21 të trupave ushtarake amerikane dhe aleatëve të NATO-s. Brigjet shqiptare shfrytëzohen për të parën herë për stërvitje që pas Luftës së Dytë Botërore për zhvillimin e aftësive të trupave aleate për zbarkimin nga deti.
Bëhet fjalë për një prej stërvitjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme ku marrin pjesë 28 mijë trupa ushtarake, ku krahas atyre amerikane marrin pjesë edhe ushtarë shqiptarë dhe nga 26 vende në total. Krahas vendit tonë në stërvitje janë të pranishëm edhe ushtritë e vendeve fqinje anëtarë të NATO-s, si Mali i Zi e Maqedonia e Veriut. Stërvitja ka qëllime mbrojtjeje dhe përqendrohet kryesisht në parandalimin e sulmeve, teksa përgatit forcat aleate për t’ju kundërpërgjigjur situatave të krizave apo katastrofave humanitare. Si terrene të stërvitjes përdoren terrene të vështira bregdetare si porte të degraduara të dala jashtë përdorimit.