Qytetarët të cilët kanë një pasaportë shqiptare mund të lëvizin lirisht, pa vizë, ose me vizë, e cila merret direkt në pikën kufitare, në 114 shtete të ndryshme të botës, nga 113 të një viti më parë. Kjo bën që “Henley and Partners”, që publikon periodikisht indeksin e pasaportave, të na rendisë në vendin e 54-t në botë, nga vend i 52-të i një viti më parë.
Përkeqësimi në renditje është rrjedhojë e faktit që disa shtete të tjera, si Gjeorgjia, kanë regjistruar progres më të lartë në harkun e një viti. Ndër vendet e rajonit, Shqipëria është e fundit në renditje.
Ndërsa Kosova, shteti i dytë shqiptar në Europë njihet nga shumë pak shtete, e për rrjedhojë, numri i vendeve ku mund të udhëtojnë pa vizë shtetasit e tij është shumë i vogël, vetëm 40. Kjo gjë e zbret në fund të renditjes.
Për të gjitha qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor pasaporta e tyre është më e fortë se ajo shqiptare. Në nivel global ndërkohë, Japonia renditet në vend të parë, si shteti me pasaportën më të fuqishme për 2020-ën, dhe në vendin e fundit qëndron Afganistani.