Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, i është përgjigjur pyetjeve të kreut të grupit të PD Gazment Bardhi në lidhje me një ish-agjent të Rumanisë që është kontraktuar si këshilltar nga Kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij në Parlament, Çuçi pranoi faktin e punësimit të një këshilltari të tillë, i cili në momentin që është punësuar nuk ka qenë pjesë e shërbimeve inteligjente rumune.
Sa i përket akuzave të Bardhit se këshilltari rumun është akuzuar edhe si i përfshirë në linjën e trafikut të drogës Meksikë-Shqipëri-Rumani, Bledi Çuçi sqaroi se pasi Kryeministri Rama kishte marrë dijeni për këto akuza, e largoi nga posti i këshilltarit.
Bledi Çuçi: “Personi për të cilin kryetari i grupit kërkoi interpelancë është një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve inteligjente, madje me gradën gjeneral i një vendi të BE, i cili ka udhëhequr në mënyrë profesionale procese që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Rumani. Kryeministri shqiptar e ka marrë në një moment kur nuk kishte më pozicion. E dyta, nëse akuzohet në vendin e tij për vepra të ndryshme, padiskutim ajo është një çështje e Rumanisë, jo e Shqipërisë. Në momentin që Kryeministri është informuar për këtë gjë, sigurisht që nuk e ka më këshilltar, e ka larguar nga këshilltar”.