Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar gabim hyrjen e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit.
“Në këto zgjedhje pati diçka të papranueshme që ishte marrja e të dhënave personale me patronazhistët. Unë nuk kam qenë asnjëherë për bojkot zgjedhjesh, por në këto zgjedhje unë nuk do të kisha hyrë. Basha bëri gabim që mori pjesë në zgjedhje. Situata ishte e rëndë.
Opozita duhet të bëjë gjithçka për një strategji të një bashkimi sa më të gjerë jo vetëm të forcave opozitare, por të gjithë elementëve të shoqërisë. PD duhet të bëjë gjithçka. Sistemi i patronazhistëve ishte i papranueshëm. Opozita duhet të ngrejë protestat, brenda apo jashtë parlamentit” – tha Berisha në Euronews Albania duke komentuar edhe zhvillimet brenda opozitës.
“Opozita është në ditën më kritike të ekzistencës së saj që nga themelimi, lidhur me PD. Unë e kam shprehur kundërshtinë time për hapjen e fushatës elektorale në parti. Unë gjykoja kritike angazhimin në evidentimin e masakrës zgjedhore dhe pastaj analizën sepse unë nuk them që PD nuk kishte mangësitë e saj në lidhje me rezultatin.
Ajo që ra në sy ishte që kryetari dhe kundërshtarët e tij ranë dakord të hynin në fushatë. Për mua ishte shumë gabim, por nuk kisha si të dilja kundër. Zgjedhje me aklamacion nuk ka bërë ndonjëherë PD, por nuk është se nuk ekzistojnë. Ka edhe në parti të qendrës së djathtë. Unë kam pasur një formë tjetër.
Pse them se opozita është në momentin më kritik? Opozita merret këtë vit me humbjen e tretë në zgjedhje që është hera e parë në historinë e pluralizmit. Ka 60 mijë vota më pak. Nëse opozita nuk gjen forma të reja aktivitetesh, në zgjedhjet e radhës Rama do të dyfishojë masakrën zgjedhore” – tha Berisha.