Një deklaratë e fortë vjen përtej Atlantikut, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Senatori amerikan Lindsey Graham deklaroi në një emision televiziv se Presidenti rus Vladimir Putin duhet të vritet nga njerëzit e tij.
Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë që lufta në Ukrainë të përfundojë.
Senatori amerikan solli në vëmendje politikanin romak Marcus Junius Brutus, që njihet si personi që tradhtoi dhe vrau Jul Çezarin.
“A ka një Brutus në Rusi? E vetmja mënyrë që kjo situatë të marrë fund është që dikush në Rusi të largojë këtë njeri. Do t’i bënit vendit tuaj dhe botës një shërbim të madh”, u shpreh senatori Lindsey Graham gjatë një interviste në televizionin amerikan Fox News.
Më pas, ai ripërsëriti në Twitter të njëjtin qëndrim.
“Të vetmit që mund ta rregullojnë këtë situatë janë populli rus. Është e lehtë për t’u thënë, por e vështirë për t’u bërë. Nëse nuk doni të jetoni në errësirë për pjesën e mbetur të jetës dhe të izoluar nga bota, në varfëri të tmerrshme dhe të jetoni në errësirë, duhet të ngriheni”, shkroi ai në Twitter duke iu drejtuar qytetarëve rusë.
Lindsey Graham ka qenë avokat në Forcat Ajrore të SHBA-së për më shumë se 30 vjet. Ai konsiderohet person me ndikim në Partinë Republikane amerikane sa i përket politikës së jashtme dhe çështjeve ushtarake.