Politika Deklarata e Metës për Teatrin Kombëtar dhe gjoba ndaj Bashës, flet Rama

Deklarata e Metës për Teatrin Kombëtar dhe gjoba ndaj Bashës, flet Rama

Mbrëmjen e sotme, kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “Opinion” në Tv Klan, në një lidhje direkte, ka komentuar deklaratën e Presidentit Ilir Meta për çështjen e Teatrit Kombëtar.

I pyetur se përse nuk pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese apo përse nuk e çon në referendum shembjen e Tetarit, sikurse ka propozuar presidenti Meta, Rama tha se nuk ka asnjë diskutim për këtë vendim dhe se prej 20 vitesh ai është i mendimit se ai Teatër duhet të ndërtohet i ri.

“Nuk dua të bëj polemika me Presidentin sepse nuk ka asnjë tagër për të vendosur mbi instancat përkatëse. Ka të gjithë të drejtën për të menduar ndryshe, të bëjë ato që sheh të arsyeshme për t’i bërë, por përtej kësaj, jo Presidenti por asnjë tjetër që s’ka mandat e kontratë me popullin shqiptarë, nuk ka shans që ta ndalojë veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv”.

Sa i takon protestuesve për të mos u shembur Teatri dhe që edhe këtë mbrëmje në shenjë proteste po qëndrojnë jashtë tij, Rama tha se nuk shikon një grup për mbrojtjen e Tetarit, por disa persona që kanë thyer rregullat e vendosur këtë periudhë për shkak të pandemisë.

“Më thatë se mbas shpinës tënde është Aleanca për Teatrin, por unë shoh një grup njerëzish që kanë thyer rregullat aktuale duke vënë në rrezik veten dhe njëri-tjetrin por edhe të tjerët që mund të takojnë më pas, këtë shikoj dhe jo  aleancë për të mbrojtur teatrin. Në kushtet kur është rreptësisht e ndaluar  që njerëzit të grumbullohen në numra të tillë”.

Kryeministri Rama tha se Bashkisë së Tiranës nuk i është thënë që ta shembë Teatrin, por ta ndërtojë atë.

“Bashkisë nuk i është lënë asnjë patate e nxehtë, ka vetëm një proces që zhvillohet sipas ligjit dhe ndarjes së punëve dhe Bashkia e Tiranës është agjencia që do ekzekutojë projektin. Ne nuk i kemi thënë merre prishe por merre ndërtoje. Ajo që mendoj se është e nxehtë është se vija e zjarrin sot është në spital, dhe lufta sot në Shqipëri është lufta për të mbrojtur shëndetin dhe garantimin e fazës së dytë të hapjes”.

Rama ka reaguar edhe për procedimin e bërë ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, i cili është gjobitur nga policia e Durrësit sot pasi ka shkelur masat e marra në kuadër të Covid-19, duke u ulur me disa persona në një tavolinë.

“Kreu i PD shkel të gjitha rregullat, organizon një takim për punën e tij, që nuk mundet ta bëjë, sikurse nuk e bëj dot as unë, në lokale, mjedise të mbyllura, e me njerëz të tjerë, pa distancë, pa rregull, e për mua kjo është një tjetër shfaqje e rrezikshme, në kushtet kur gjatë hapjes ne duhet të kemi parasysh që gjithnjë e më pak ndikon roli i ndëshkueshmërisë, por ai përgjegjshmërisë. Qeveria nuk vë gjoba, por nëse janë gjobitur është bërë gjëja e duhur në zbatim të aktit normativ, tek të gjithë pa përjashtim në të gjitha rastet kur shkeljet konstatohen. Hapja është e shoqëruar që çdo njëri nga ne të ketë përgjegjshmëri”.