Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të hënën e 18 qershorit 1934, në faqen n°2, deklaratën e rëndësishme të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Xhaferr Vila, bërë asokohe në gazetën jugosllave “Politika”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Shqipëri
Deklaratë e rëndësishme nga z. Xhaferr Vila
Z. Xhaferr Vila, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe ish-ambasador në Beograd, i intervistuar nga një korrespondent i gazetës jugosllave “Politika” për politikën e jashtme të Shqipërisë, deklaroi ndër të tjera:
“Shqipëria është një popull krenar. Ne i kemi qëndruar gjithmonë besnikë parimit të ruajtjes me xhelozi të sovranitetit të Shqipërisë. Kemi lexuar deklaratat e z. Yevtitch (Jevtiç) për marrëdhëniet e këtyre dy vendeve dhe në veçanti për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Për sa u përket deklaratave të z. Venizelos për vasalitetin e vendit tim, më vjen keq që ish-kryeministri grek ka bërë një interpretim të gabuar të dokumentit të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921, sepse akti i regjistruar në Lidhjen e Kombeve duhet të forcojë pavarësinë e një shteti dhe jo ta dobësojë atë. Ky dokument nuk ekziston për Shqipërinë, sepse nuk u konsultua dhe nuk mori pjesë në hartimin e tij.”
Në përfundim, z. Vila deklaroi se Shqipëria, duke qenë një shtet i Adriatikut, kishte një vijë bregdetare për të mbrojtur kundër sulmeve ngado që vijnë.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania