Deklarata e kryeministrit Edi Rama dhënë mbrëmë në emisionin Real Story se me Greqinë po diskutohet për kufirin detar, ka ngjallur reagime në vendin fqinj.
Në fakt, mediat greke e kanë përcjellë në ligjëratë të drejtë, por paksa të cunguar deklaratën e kryeministrit shqiptar.
Në kohën që Rama, në intervistën e tij u shpreh se “me Greqinë po diskutojmë kufirin detar”, kjo fjala e fundit është hequr nga citimet e mediave greke.
Portali i gazetës “Ta Nea” e cilëson si “silurë”, deklaratën e kryeministrit shqiptar, ndërsa “Kathimerini”, konstaton se ajo shkakton pikëpyetje dhe e rendit Greqinë ndër vendet me të cilat Shqipëria ka probleme kufitare.
Ndaj deklaratës ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re. “Pretendimi i zotit Rama se po diskuton me Greqinë çështje kufijsh, përbën një problem madhor për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga shefi i departamentit ndërkombëtar të Demokracisë së Re, deputeti Jorgos Koumoutsakos.
Partia më e madhe opozitare kërkon gjithashtu që “qeveria Tsipras të përgjigjet qartë nëse po diskuton me Shqipërinë ripërcaktimin e kufijve. Dhe së dyti, çfarë qëndrimi ka Athina zyrtare ndaj mendimeve të zotit Rama për një ripërcaktim të kufijve në gjithë rajonin”.
Burime nga qeveria greke, që folën në kushte anonimiteti për televizionin Klan, ishin të miriformuara. Ata thanë se Edi Rama e kishte fjalën për kufirin detar dhe negociatat që po zhvillohen prej vitesh midis të dy palëve.
Burimet shtuan se deklarata e kryeministrit shqiptar nuk përbën shqetësim, por nga ana tjetër thanë se nuk do të lejojnë që marrëdhëniet midis Greqisë e Shqipërisë të ndërlidhen me shkëmbime eventuale territoresh që mund të bëhen ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Në korrik të vitit të kaluar, sa kryeministri grek, aq edhe komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn, kishin shkaktuar pështjellim në Greqi, kur kishin deklaruar se Athina dhe Tirana po diskutojnë një ristrukturim të kufijve. Por pas reagimeve të fuqishme, të dy kishin sqaruar se e kishin fjalën për kufirin detar.