Nga Durrësit, Presidenti Ilir Meta është pyetur për deklaratën e fundit të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila dy ditë më parë ngriti disa pyetje për kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, të cilët garojnë në zgjedhjet e 6 marsit.
Kim pyeti kandidatët se si mund të marrin pjesë në një fushatë, kur sponsorizohen nga Berisha, të cilin Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar hyrjen në vendin e tyre, pasi e akuzojnë për korrupsion dhe minim të demokracisë.
Ilir Meta u shpreh se qytetarët duhet të zgjedhin me vullnetin e lirë për kandidatin më me integritet. “Unë jam i bindur se qytetarët e Durrësit, por jo vetëm, edhe të pesë Bashkive të tjera, do të zgjedhin me vullnetin e lirë për kandidatët apo kandidatet më me integritet dhe që garantojnë një përkushtim sa më të madh ndaj komunitetit si dhe një përfshirje të tij sa i takon qeverisjes vendore. Vetëm qytetarët të vendosin për të ardhmen e tyre. Ajo që të gjithë duhet të kërkojmë është një proces sa më transparent, sa më demokratik, një ballafaqim programesh, një ballafaqim idesh dhe në fund të fare, të fitojë vullneti i qytetarëve dhe të fitojnë kandidatët më me integritet”, tha Meta.