Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të bëra nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë të transmetuar mbrëmjen e së enjtes.
Në një postim në mediat e tij sociale, Lulzim Basha e cilëson Partinë Socialiste si një bandë kriminale, figurat më të larta të së cilës “kërcënojnë njëri-tjetrin me kode mafioze.”
Teksa shprehet se edhe të tijët i tregojnë gishtin tashmë, Basha thotë se kryeministri Edi Rama duhej të kishte dhënë dorëheqjen tashmë.
“Është e qartë se këta operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin. Njëri del në dosje me krimin, tjetri në pazare korrupsioni, tjetri kanabizon Shqipërinë.
Tani e pranojnë vetë dhe të gjithë tregojnë me gisht Edi Ramën. Kudo tjetër kryeministri do të ishte dorëhequr, por në rastin e tij sa më i madh abuzimi aq më e madhe arroganca.
Se çfarë bëjnë me njëri-tjetrin, kokat hëngshin, por çfarë shqetëson shqiptarët është se ata të gjithë bashkë nuk kanë ngrënë kumbulla e dardha, por paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar me pasuritë e tyre. Dhe për këtë duhet të japin llogari para drejtësisë, nga i pari tek i fundit“, shkruan Basha në Facebook.
Në intervistën e dhënë mbrëmjen e së enjtes, Arben Ahmetaj përsëriti disa herë, se “kokë turku” nuk do të bëhet.