Politika Deklaratat e Ahmetajt, Berisha: Disponon fakte përvëluese për Ramën

Deklaratat e Ahmetajt, Berisha: Disponon fakte përvëluese për Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar gjatë konferencës së përjavshme për shtyp deklaratat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj në “Opinion” të enjten.

Sipas Berishës, Ahmetaj disponon “fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Ramës” në aferën e inceneratorëve. Berisha theksoi se përgjegjës kryesor për inceneratorët është vetëm kryeministri Edi Rama.

“Përgjegjësia kryesore për aferën e inceneratorëve ka vetëm 1 emër dhe ai është Edi Rama. Ai është Edi Rama. Ai është Edi Rama. Personi tjetër në zinxhir Arben Ahmetaj u tha dje shqiptarëve të njëjtën gjë. Nuk isha unë aq i fuqishëm sa të lëvizja qeverinë. Unë ju them ju, Arben Ahmetaj është mëkatar, por këtu ai ka të drejtë. Kam qenë kryeministër dhe qeverinë mund ta lëvizë vetëm kryeministri, asnjë njeri tjetër. Nuk ka njeri që mund të mbledhë në 24 orë 17 dokumente nga zyrat e qeverisë, siç ka ndodhur. Përveç kryeministrit askush tjetër nuk mund të lëvizë të gjitha zyrat kryesore të administratës për të grumbulluar dokumentet në një ditë apo 24 orë.

Çfarë tregon kjo? Interesin absolut të Edi Ramës për aferën. Ai i dha këtë mesazh Edi Ramës, por unë ju them ju me përgjegjësi të plotë se ai nuk ka vetëm këtë provë për Edi Ramën. Jo. Mos bëj gjykatësin, i tha Edi Ramës. Ai zgjodhi këtë argument në pamje të parë të pafajshëm, por ai disponon fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës në këtë aferë. Arben Ahmetaj është i implikuar. Nuk ka diskutim. Po ua them unë ju, por njëshi në distancë nga të gjithë të tjerët është Edi Rama. Kurrë një kryeministër nuk mund të firmosë një kontratë për të cilën institucioni kombëtar i specializuar i thotë se është e paligjshme. Një kryeministër e firmos këtë kontratë vetëm kur e ka personale. Kur ai është i verbuar nga pasuria që mund të grabisë me këtë kontratë dhe harron çdo gjë”, u shpreh Berisha.