Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se Britania e Madhe nuk duhet të diskriminojë shqiptarët por të punojë për të forcuar kufijtë e vet kundër emigracionit të paligjshëm, ka reaguar zyra e kryeministrit britanik, Rishi Sunak.
Zëdhënësja e Sunak tha se Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë dhe i është falënderuese vendit tonë për punën që bëhet për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore.
“Duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën që bën me ne në këtë drejtim”, thuhet në reagim.
Qeveria e re britanike duket se po kërkon ta trajtojë me seriozitet çështjen e emigracionit të paligjshëm në vend, i cili është kthyer në një problem serioz, me mijëra emigrantë që hyjnë përmes detit në ishull, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë. Ministrat janë duke hartuar në këtë mënyrë një plan, i cili parashikon kthimin e menjëhershëm të emigrantëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve pasi hyjnë në Britaninë e Madhe, kërkojnë azil.