38 kandidatë për kryetarë bashkie dhe për anëtarë të këshillave bashkiakë janë dërguar nga KQZ në Prokurori për verifikim të thelluar në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se janë 10 kandidatë për kryebashkisë dhe 28 kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiakë.
“Janë 38 kandidatë nga 23,907 kandidatë në total, kandidatë për kryetarë bashkie dhe anëtarë për këshill bashkiak të cilët KQZ bazuar në atë çfarë ata vetë kanë deklaruar këta kandidatë në formularët e tyre të Vetëdeklarimit por dhe nga indicie të marra nga partitë politike sipas rastit kemi vendosur për të kërkuar verifikim të thelluar prej organit të Prokurorisë.
Janë 28 kandidatë për anëtarë të këshillit bashkiak nga 23763 në total të cilët janë dërguar dhe këta për hetim të thelluar. Sipas detyrimit që KQZ ka i ka bërë publik formularët e Vetëdeklarimit për të gjithë kandidatët, por dhe emrat e kandidatëve të cilët janë dërguar për hetim të thelluar.
Janë 10 kandidatë për kryetarë bashkie nga 144 në total, të cilët janë dërguar për hetim të thelluar. Këta kandiddatë kandidojnë në zonat zgjedhore të Bashkive Koçovë, Krujë, Vau i Dejës, Shijak, Devoll, Himarë, Mallakastër, Kukës dhe Has.
Për bashkitë, kandidatët e të cilëve për këshilla janë dërguar për hetim të thelluar i përkasin bashkisë Bulqizë, Mirditë, Shijak, Tropojë, Berat, Pukë, Gramsh, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Kuçovë, Dibër, Fushë Arrëz”, tha kryetari i KQZ.
Zgjedhjet vendore do të mbahen të dielën më 14 Maj.