Lear Kurtit i ndaloi menjëherë zemra, për shkak të mbidozës së kokainës. Prokuroria e Tiranës njofton këtë të enjte se ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor në lidhje me shkaqet e vdekjes së Kurtit, 32-vjeçarit i cili humbi jetën pas shoqërimit nga policia mbrëmjen e 20 Tetorit në Tiranë.
“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike: Mbidozim (Helmim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent. Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Kurti dyshohet se gëlltiti një qese me kokainë gjatë kohës që u shoqërua nga efektivët e policisë.
Prokuroria e Tiranës, gjatë hetimeve për vdekjen e të riut, ka marrë në pyetje 17 punonjësit e policisë të përfshirë me veprime në ndalimin e 32-vjeçarit, por edhe dëshmitarë në ambientet e Komisariatit nr 3. Punonjësit e policisë kanë rrëfyer mbi të gjithë itinerarin e ndjekur ditën e ngjarjes dhe bisedat e bëra më Kurtin pak para se ta ndalonin atë. Të gjitha këto dëshmi janë objekt të verifikimit të Prokurorisë.
Gjithashtu, Prokuroria mori në dorëzim materialet pranë sallës operative dhe janë marrë dëshmitë e punonjësve të turnit, të cilat dokumentojnë thirrjet për patrulla ndihmëse dhe për ambulancën, bërë nga efektivët e policisë.
Prokuroria po ashtu ka marrë në pyetje stafin e Spitalin të Traumës për të hedhur dritë mbi një pjesë tjetër të hetimit që lidhej me gjendjen në të cilën ka shkuar ai në spital dhe mbi veprimet e mjekëve. Këta të fundit i thanë prokurorisë së Tiranës se i riu kishte mbërritur pa shenja jete, duke i qëndruar të njëjtit variant që më herët është dhënë zyrtarisht nga spitali.
Pavarësisht konstatimit se ishte i vdekur, mjekët deklaruan para hetuesve se ata kanë bërë përpjekje për ta risjellë në jetë, përpjekje që nuk patën rezultat. Më pas, ai u dërgua në morg për procedurën e autopsisë.