Aktualitet Del fotoja e personit të shpallur në kërkim për vrasjen e Jurgen...

Del fotoja e personit të shpallur në kërkim për vrasjen e Jurgen Kurtit

RTV Ora siguron foton Klodian Banes, i shpallur në kërkim si personi që vrau Jurgen Kurtin mbrëmjen e 18 marsit në Tiranë.

Klodian Bane është personi i katërt i shpallur në kërkim për vrasjen e 26 vjeçarit, i cili dyshohet se drejtonte makinën tip Mercedez, makinë që është fiksuar nga policia me anë të kamerave të sigurisë. Ndërkohë dje Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg” për Esli Levendi, Alesio Berberi, Olsi Qalliaj.

Tre të arrestuarit kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen si dhe kanë pretenduar se nuk njihen mes tyre.

Një nga të arrestuarit Elsi Levendi i cili u tha se ka treguar skemën e vrasjes në gjykatë ka pretenduar të kundërtën.  Ai ka thënë se deklarimet janë të manipuluara dhe janë marrë pa praninë e avokatit.

Dy të arrestuarit e tjetër kanë heshtur pa thënë asnjë fjalë.

Ndërkohë hetuesit janë të bindur për bashkëpunimin në krim në sajë të pamjeve filmike që janë regjistruara para dhe pas krimit.

Në pamje janë fiksuar dy automjete në rrugën “Zef Jubani” ku ndodhi krimi.

Një audi me të cilin ka lëvizur personi i shpallur në kërkim Klodian Bane dhe një Mercedez Benz me të cilin kanë lëvizur tre të rinjtë.

Në fillim është ndaluar Levendi i cili rezulton se ka një mesazh të shkëmbyer telefonik ku shkruhet: Më njofto kur të dalë ai! Ndërkohë Levendi mohon të ketë njohje me personin që ka folur me sms.

Levendi rezulton se ka qenë në palestër aty pranë ndërsa në orën 15:00 të pasdites së 18 marsit është fiksuar makina Audi që dyshohet se ka përdorur Bane. Nga ana tjetër prokuroria e Tiranës ka nisur dhe hetimin për nxjerrjen e sekretit hetimor dhe publikimin e emrave në media që ka bërë që Bane të largohej.

Familjarët e Olsi Qalliajt deklarojnë se ai është i pafajshëm. Ndërkohë policia nuk ka deklaruar ende motivin zyrtar të vrasjes./Ora News