Bota Del në ankand Kadillaku i Al Kapones, makina e parë e blinduar...

Del në ankand Kadillaku i Al Kapones, makina e parë e blinduar në histori

Ka dalë në ankand makina e gangsterit të famshëm Al Kapone. Është një Kadillak i vitit 1928, i modifikuar për t’u rezistuar plumbave dhe për të qëlluar nga brenda.

Çmimi?

Ankandi fillon nga një bazë prej 1 milion dollarësh.

Al Kapone ka qenë një nga gangsterët më të famshëm dhe më të rrezikshëm të historisë. Ai përfundoi në burg pas një karriere të gjatë kriminale, ndërkohë që u dënua për evazion fiskal. Një personazh i tillë sigurisht që kishte shumë armiq, kështu që ishte i detyruar të merrte masa për të mbrojtur jetën. Për këtë arsye ai vendosi të merrte një makinë të blinduar. Me shumë mundësi, kjo është makina e parë e blinduar në histori.

Është një “Cadillac Town Sedan V8” e vitit 1928, që i përkiste Alfons Gabriel “Al” Kapones. Është ekzemplari i vetëm që ka dalë nga fabrika e Detroitit dhe është ruajtur deri në ditët e sotme. Ka dalë në ankand në vitin 2012 dhe është shitur për shumën e 341 mijë dollarëve. Tani del sërish në ankand nga “Celebrity Cars” e Las Vegasit, me çmimin fillestar 1 milion dollarë.

Kadillaku u ble nga Al Kapone në vitin 1928 dhe u modifikua sipas udhëzimeve të tij. Karroceria është me ngjyrë jeshile dhe të zezë, edhe parafangot janë të zeza. Makina është në gjendje shumë të mirë, është mbajtur me shumë kujdes në kushtet origjinale. Ajo ka motor “V8 L 341-A”, me 90 kuaj fuqi, që sot duket diçka qesharake, por në atë kohë konsiderohej një makinë e fuqishme. Karakteristikat më interesante në fakt janë ato që e bëjnë këtë makinë të sigurt në rast të një sulmi me armë zjarri.

Xhamat janë 2 centimetra e gjysmë të trashë, ndërsa ata anësorë mund të ulen pak më shumë se normalja, duke krijuar mundësinë për të vendosur tytën e revolverit për të qëlluar jashtë. Edhe xhami i pasmë mund të rrëshqasë poshtë, sepse kështu iu krijonte mundësi njerëzve të Al Kapones të hapnin zjarr ndaj atyre që i ndiqnin. Pjesa e kabinës ka fletë çeliku dhe në total pjesa e blinduar ka një peshë prej 1400 kilogramësh. Në total kjo makinë ka bërë 1788 kilometra. Pjesën më të madhe të jetës është ekspozuar në vitrina për koleksionistët e makinave.