Pas gati 3 javësh avokat Sokol Mëngjesi ka dalë nga koma. Lajmin e ka dhënë motra e tij, Ida Mëngjesi në një postim në Facebook, ku shkruan se vëllai i saj është zgjuar dhe pritet rekuperimi i tij. Ajo ka falënderuar të gjithë ata që i mbështetën dhe u qëndruan pranë.
“Në emrin e vëllait tim të shtrenjtë. Në emër të prindërve të mi heronj. Në emër të Anxhelës së dashur dhe engjëjve tanë të bekuar, dhe me gjithë qenien time do doja t’ju falënderoja nga zemra çdo njërin prej jush, të njohur e të panjohur që e mbuluat Sokolin me një mburojë të papërshkruar dashurie njerëzore, derisa sytë e tij të zgjuar u zgjuan nga kjo ëndërr e keqe.
Zoti ka mënyrat e tij për të na provuar ekzistencën e gjithëfuqishme, nëpërmjet mrekullive që bën herë pas here me njerëzit dhe ai do e ngrejë Sokolin në këmbë!
Në këto ditë të kobshme që kanë zgjatur si muaj kemi mësuar se asgjë nuk vlen sa fuqia e mbinatyrshme e dashurisë njerëzore që u derdh mbi të dhe mbi ne në një mënyrë të papërshkruar me fjalë!
Drita e qirinjve të ndezur në të katër anët e botës, drita e çdo lutjeje të pëshpëritur nga buzët e dridhura dhe drita e mirësisë qoftë me ju çdo çast dhe mbretëroftë e mira në jetën dhe në shpirtin tuaj! E mira nuk humbet!”, shkruan motra e avokatit Mëngjesi.
Avokati Sokol Mëngjesi ishte në gjendje kome prej 29 majit, ndërkohë që vijon të marrë trajtimin mjekësor në një nga spitalet e Athinës ku ndodhet prej datës 3 qershor.
Ai u dhunua mëngjesin e 29 majit 2024 në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Për dhunën ndaj avokatit Mëngjesi deri tani është vënë në pranga Dritan Nano, si organizator i sulmit, dhe dhëndri i tij Dorian Alia, një nga agresorët ndaj avokatit. Gjykata e Tiranës më 1 qershor caktoi masën ‘arrest me burg’ ndaj tyre, për veprën penale ‘plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.’ Edhe për 3 agresorët e tjerët që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, gjykata caktoi masa ‘arrest me burg’ në mungesë.