Humbja në Verona, e dyta radhazi, pas nokautit në shtëpi kundër Sassuolos, e zhyti Juventusin në vendin e nëntë të renditjes. Për skuadrën e drejtuar nga Massimiliano Allegri shifrat janë të pamëshirshme: 15 pikë në 11 javë kampionati; njësoj si fillimi i ngadaltë i sezonit 2015-2016 dhe mbi të gjitha, 16 pikë larg nga kreu i renditjes, i pushtuar nga tandemi Napoli-Milan.
Në fakt, bardhezinjtë me këtë hendek të krijuar janë të përjashtuar “de facto” nga beteja për titullin. Ish-kapiteni dhe flamuri i Juventusit, Alessandro Del Piero ka folur për “Sky Calcio Club”, ku ka analizuar momentin e vështirë të skuadrës së zemrës:
“Për momentin, Juventusit i mungojnë disa gjëra. Këtë sezon ka pasur një ndryshim tjetër, i treti në tri vite. Ka pasur situata delikate jo vetëm për ekipin. Këto ndryshime rëndojnë pak në mjedisin bardhezi. Ai i Juves është një mjedis që edhe kur udhëheq, nuk duket plotësisht i kënaqur. Atje duhet të fitosh gjithmonë, ndaj gjithçka ka shpërthyer në mënyrë të ekzagjeruar, për mirë e për keq. Për rrjedhojë, kur kalon një moment të tillë, situata bëhet shumë e vështirë”.
Ish-kapiteni analizoi edhe zgjedhjet e tri viteve të fundit: “Kur u hoq Allegri, u deklarua nga klubi se skuadra do të rithemelohej. Do të ishte kurioze të kuptonim pse fillimisht u orientuam në rrugën e Sarrit dhe më pas Pirlos, teksa të dy u shkarkuan pas një sezoni. Më pas ishte zgjedhja e fortë e Agnellit, që vendosi me të tijën, duke kthyer Allegrin. Duhet të kuptojmë nëse kjo skuadër është rithemeluar apo i duhet kohë. Në Champions League ka pasur një hap të rëndësishëm, ka treguar personalitet të madh, ka qenë e përqendruar, pastaj sërish performancë negative. Është një situatë shqetësuese. Juve na befasoi me disa rikthime të pabesueshme, por sot e kam të vështirë të mendoj më për to”.
Del Piero sugjeron kompaktësinë, si recetën për t’ia filluar përsëri te Juventusi: “Brenda, atje ndoshta e dinë se cilat pjesë meritojnë më shumë vëmendje. Sot gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Juventusit është se ka një sulm ndaj lojtarëve, klubit dhe trajnerit. Kur ka momente krize, duhet të qëndroni të bashkuar. Të mendosh se trajneri nuk kupton asgjë, se lojtarët nuk sakrifikojnë, se klubi nuk është kurrë aty, janë injeksione helmi që i lëndojnë të gjithë”.
Disa fjalë edhe për largimin e Cristiano Ronaldos: “Nuk do ta lija shumë prapa si faktor në këtë krizë Cristiano Ronaldon. Ai u largua nga Juventusi në ditët e fundit të merkatos, por ishte lojtar me 30-35 gola. Cristiano e kushtëzon skuadrën, këtë e dimë të gjithë, edhe lojtarët. Papritmas, bardhezinjtë u gjendën në një realitet tjetër. Nuk është justifikim, por edhe llogaritë bëhen kështu.
Kur kishe një lojtar që zgjidhte ndeshjet e tua më të rëndësishme dhe fitoje, ambienti përshtatej me këtë realitet. Janë dinamika brenda skuadrës, që kanë një lloj peshe. Edhe vetë Allegri në fillim tha se duhej të rindërtonte më shumë sesa mendonte. Juve vuajti në fillim, pastaj u përshtat pak, tani po has probleme dhe zbulon defekte që janë më të thella se sa menduam”.
Filozofia e Juventusit ka ndryshuar: “Mendoj se Juve ka bërë gjëra të jashtëzakonshme në dhjetë vitet e gjysmë të fundit dhe tashmë ka kaluar disa ndryshime të rëndësishme brezash. Më kujtohet mesfusha me Pirlo, Pogba, Vidal dhe Marchisio, më e mira që kishte në atë kohë. Më tej ka pasur disa lloje nënshkrimesh dhe stabilitet. Dy vjet më parë diçka ndryshoi, kur u largua Allegri. Klubi kërkoi një lloj tjetër trajneri. Shumë herë skuadra ka luajtur shkëlqyeshëm, tani për tani ka vështirësi serioze. Ndikon shumë të mos kesh sulmuesin që shënon 30 gola, sepse Ronaldo u largua në minutën e fundit të merkatos. Mendoj se ka pak konfuzion në aspekte të ndryshme. Ambienti i Juventusit është i nivelit më të lartë dhe ndesh vështirësi në përballje me situata të caktuara. Duhet t’i përveshësh mirë mëngët”.