Sport Del Piero: Juve, Championsi do vijë. Ronaldo do të bëjë edhe më...

Del Piero: Juve, Championsi do vijë. Ronaldo do të bëjë edhe më mirë këtë sezon

“Të gjitha italianet mund ta kalojnë grupin. Sarri është teknik për ekip të madh. Conte? Më kujton Juven e vitit 2011: vendosmëri, dëshirë për të fituar, ndikim i madh i trajnerit”

Kanë kaluar 23 vite nga ai moment, që tashmë bën një përshtypje të caktuar… nostalgjie. Atëherë, Champions-i fundit i fituar nga Juve evidentoi një të ri, me të ardhme të madhe, Alessandro Del Piero. Ish-kapiteni bëri epokën e tij me gjigantët e Torinos, fitoi e shënoi pa fund, derisa u zhvendos në anën tjetër të botës, në Amerikë. Del Piero ishte pozitiv dhe optimist kur luajti me fanellën bardhezi, por nuk e ndryshon këtë tipar karakteri edhe tani, si tifoz i madh i Juves.

Juvja

Ai ndalet në analizën e asaj që shkoi keq sezonin e kaluar dhe në gjetjen e arsyeve optimiste për Champions-in e radhës, aktualin. Ish-kapiteni mbetet “romantik” në mbrojtje të talentit të Dybala. I pëlqen futbolli që luan Sarri, ndërkohë që admiron punën e Conte tek Interi.

Këto janë tematikat e prekura nga kampioni i madh në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”. Lidhur me mundësitë europiane të Juventusit, jo vetëm është optimist, por i bindur për faktin se “herët a vonë, ai moment, i fitimit të Champions-it, do të vijë”.

CR7

Për të, Ronaldo mund dhe do të jetë faktor kryesor në përmbushjen e këtij objektivi: “Cristiano i vetëm nuk mjafton për ta fituar Champions-in, por nuk mund të thuhet se nuk e bëri atë, për të cilën është blerë. Shpresoj se do të bëjë edhe më mirë këtë sezon. Duke njohur filozofinë e Sarrit për futbollin, pres një Juventus të shkëlqyer”. Sa për grupet e skuadrave italiane në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental, Del Piero nënvizon se shorti për Juven nuk ishte negativ.

Po të tjerët?

“Të tria skuadrat italiane mund të kualifikohen, përfshirë edhe Atalantën”. Sa për titullin në Serie A, Interi është rivali i parë anti-Juve. Çfarë mendon Del Piero për ekipin e Conte? “Më kujton Juven e vitit 2011: vendosmëri, dëshirë për të fituar, ndikim të madh të trajnerit në grup dhe një dëshirë e madhe për shpagim”, – nënvizon ish-kapiteni bardhezi.