Dhjetë orë pasi u dërgua në gjendje të rëndë në urgjencën e spitalit Can Ruti në Badalona, jeta e babait të futbollistit të Barcelonës, Lamin Yamal nuk është më në rrezik.
Mediat në Spanjë raportojnë se gjendja e Munir Nasraoui paraqitet e stabilizuar edhe pasi ai vazhdon të jetë i shtruar në spital pas sulmit me thikë që pësoi mbrëmjen e së mërkurës.
Nasraoui u dërgua në spitalin në Barcelonë pasi u godit disa herë me thikë në sulmin që ndodhi në një parking në Calle Frank Marshall në lagjen Rocafonda, ku jeton familja e futbollistit që fitoi Europianin me Spanjën.
El padre de Lamine Yamal discutió con algunos vecinos por la mañana y más tarde fue apuñalado. pic.twitter.com/X3F7IItvrz
— Actualidad Viral (@ActualidaViral) August 15, 2024
Sipas informacioneve, policët që po hetojnë sulmin ndaj tij kanë arrestuar tre persona të cilët akuzohen “për tentativë vrasje”. Po ashtu janë marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë, të cilët thonë se Munir mori “më shumë se një goditje me thikë”.
Të tre arrestimet u bënë rreth orës 22:30 të së mërkurës mbrëma falë përshkrimeve të autorëve të dhëna nga dëshmitarët okularë.
Edhe pse ende nuk është e qartë pse u sulmua babai i Yamal, mediat katalanase theksojnë se disa orë para incidentit të përgjakshëm ai ishte përfshirë në një përleshje me disa persona teksa ecte me qenin e tij.
Sipas të njëjtave burime, disa persona i kanë hedhur ujë nga një ballkon dhe për pasojë ka nisur një sherr mes Munirit dhe banorëve të pallatit, i cili ka përfunduar pas ndërhyrjes së punonjësve të policisë bashkiake që ndodheshin në zonë.
Munir Nasraoui ishte deri vonë një banor i panjohur i lagjes Rocafonda të Mataros, por talenti i djalit të tij si sulmues i Barcelonës dhe më pas si ylli në rritje i kombëtares spanjolle që fitoi Euro 2024 e bëri atë një personazh publik.
32-vjeçari ka qenë i përfshirë në situata të dhunshme në të kaluarën. Në qershor 2023, në një video që u bë virale ai shihej duke sulmuar deputeten e ekstremit të djathtë të Vox, Mónica Lora në qytetin e Mares, një veprim për të cilin u gjobit me 546 euro.