Ndërsa konsumojmë gjatë gjithë kohës informacione në platforma të ndryshme komunikimi, të gjesh versionin e vërtetë të fakteve nuk është dhe aq e lehtë. Për fat të keq, shpesh herë krejt e kundërta mund të ndodhë. Një gënjeshtër e mirëmenduar, e përsëritur në mënyrë të vazhdueshme dhe e ofruar në mënyrë komode, mund të deformojë këndvështrimin tonë ndaj realitetit. Asnjë vend nuk është imun ndaj dezinformimit.
“Gjurmo të Vërtetën” vjen si një thirrje e Delegacionit Evropian në Shqipëri, për të luftuar së bashku perceptimet e shtrembëruara të realitetit. Kjo fushatë ndërgjegjësuese kushtuar dezinformimit dhe keqinformimit, ka nisur tashmë rrugëtimin e saj të martën, më 31 janar, me përurimin e një instalacioni mjaft interesant në Sheshin Skënderbej, pranë Muzeut Historik Kombëtar. Bëhet fjalë për një tunel grafik – i veshur me mesazhe në pamje të parë dezinformuese e ngacmuese – që të nxit të gjurmosh të vërtetat e fshehura pas tyre.
Qytetarë, fact-checkers dhe profesionistë të medias ftohen të reflektojnë mbi ndikimin e dezinformimit, pikërisht duke përshkuar tunelin me gjatësi prej 9 m; të veshur nga brenda me tituj të vërtetë por të transformuar grafikisht, që t’i ngjajnë atyre gënjeshtrave tipike që hasim mbi Covid-19, luftën në Ukrainë apo mbi çështjen e ngrohjes globale.
Tuneli është i pajisur me një kod QR, i cili të çon në një faqe interneti ku mesazhet e gabuara demaskohen falë informacionit të verifikuar e objektiv. E njëjta faqe përmban edhe këshilla mbi mënyrën se si mund të dallohen përmbajtjet e rreme.
Gjatë eventit, fushata u prezantua nga Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.
“Sot nisëm fushatën “Gjurmo të Vërtetën”! Një platformë komunikimi e cila fton gazetarët dhe ne, konsumatorët e informacionit, që të shohim gjithmonë faktet dhe të gjurmojmë të vërtetën. BE do të vazhdojë të mbështesë fact-checkers-at dhe gazetarët shqiptarë në përpjekjen e tyre për raportim cilësor e të bazuar te faktet. Por është edhe përgjegjësia jonë që të jemi të vëmendshëm mbi çfarë konsumojmë e të mendojmë në mënyrë kritike”, – u shpreh Hohmann, duke nënvizuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të opinionit publik dhe atë të edukimit mediatik.
Ambasadorja iu kërkoi më tej qytetarëve dhe profesionistëve të medias, të tregohen gjithmonë të kujdesshëm në leximin apo në përçimin e informacionit, sikurse në formën që zgjedhin ta përdorin.
“Gjurmo të vërtetën” synon përqafimin e të së vërtetës, mes kaosit informativ, në një kohë kur media sociale rezulton si dritare e parapëlqyer informimi. Kjo fushatë e BE-së, pritet të shtrihet në platforma të tjera komunikimi, me fokus të veçantë te të moshuarit dhe të rinjtë.
“Gjurmo të vërtetën” është padyshim pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Delegacionit të BE në Tiranë, për të mbështetur edukimin mediatik apo transparencën e mediave në Shqipëri.
Bashkimi Evropian ka përkrahur jo pak herë organizatat e pavarura të verifikimit të fakteve, programet e edukimit mbi mediat në shkolla, si dhe hulumtimet të cilat ndihmojnë për të kuptuar përmasat e dezinformimit në Shqipëri me ndikim nga jashtë vendit.
*Gjurmoteverteten.al, hapësirë që mund ta eksploroni të gjithë ju që jeni kureshtarë, për të ditur dhe mësuar më shumë.