Opinion nga Edmond Ismailati
Nuk kisha ndërmend t’i kthehesha dhe të shkruaja edhe njëherë për primaret në PD, por ngaqë ndodhë për herë të parë lind dhe ecën me hapat e para në demokracinë shqiptare, u detyrova të riulem dhe të vazhdoj të shpreh opinionin tim, e cila lidhet me prezantimin e kandidatëve: Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkeleida Fejzo, Fatmir Merkoci, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Julian Deda, të cilët u prezantuan në (1 Dhjetor 2022) emision “Opinion”, me moderator gazetarin e mirënjohur, Blendi Fevziu, që transmetohet në RTV Klan.
Nuk dua të ndalem në detaje për prezantimin e çdo kandidati, pasi do jo vetëm kohë dhe durim, sipër t’i hedhur në letër por do merren pa interes edhe për lexuesit, të cilët i kanë ndjekur me shumë vëmendje drejtpërsëdrejti, përgjatë transmetimit.
Edhe pse është hera e parë, për një prezantim të kësaj natyre, nuk merret për justifikim prezantimi i dobët dhe i çorientuar i disave prej kandidatëve, të cilët ishin shumë të lodhshëm, dyshues dhe aspak bindës me ato çfarë shprehën, për t’iu besuar votën në primare dhe në vazhdimësi.
Prezantime të tilla, janë po aq të dobishme për orientimin e votës, por edhe po aq të rrezikshme të përmasave të një apokalipsi, për kandidatin dhe të partisë nga ku ata vijnë! Një prezantim që filloi dhe vazhdoi duke na vrarë shpresën, pasi, të jem i sinqertë, po përjetonim ndjesi shokuese për vetë fatin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike, që për vetë shqiptarët dhe ndërkombëtarët, vlerësohet e shenjtë!
U dëgjuan të njëjtat goditje gozhdësh, siç janë prezantuar edhe në dalje të tjera televizive, përveç dy kandidatëve që do i sjell në vazhdim. Me gjithë respektin e kontributit të secilit nga kandidatët, të cilët kanë bërë as më pak dhe as më shumë se detyrën ndaj atdheut të shenjtë, nuk duhet të abuzojnë duke i përfolur ato, pasi atdheu nuk është plaçkë tregu.
Një nga këta vazhdon të marshojë me flamurin e heroit, të konservatorit; me flamurin e partisë, pa program dhe vizion të qartë personal që t’i vijë në ndihmë qytetarit dhe aq më keq me deklaratën e tij, duke diskriminuar një pjesë të komunitetit! Pra ky na del mbi Zotin që ka në dorë ardhjen në jetë dhe në vazhdim, të secilit prej nesh!
Në vazhdim prezantuesi tjetër, u dëgjua shumë gjakftohtë, dyshues dhe i përciptas në vizionin e tij. Ndoshta i sigurt se do votohet, pasi në Shqipëria ka dalë në modën e fushatave, se një kandidat me profesionin mjek, është më i arriri për të fituar dhe për të na drejtuar! Është mentalitet shumë i rrezikshëm për orientimin e votës dhe për t’iu besuar drejtimin e një komuniteti, aq më shumë kur këta vetëshprehen se janë njerëz të nderuar dhe të mirënjohur në komunitet a shoqëri! Fill pas kësaj, zbehet deri në zhvlerësim të plotë misioni i tyre profesional dhe aq më shumë personal, për t’u besuar votën! Nisur nga këto deklarata, i bie që të tjerët janë të pandershëm?!
U dëgjua përsëri edhe nga prezantuesi në vazhdim, se nuk heq dorë nga tritoli dhe ka të drejtë të shprehë çfarë të dojë edhe pse harron se kostot e një shkatërrimi janë të shumëfishta! Tjetra, si mund të prishësh “Bulevardin Dëshmorët e Kombit”, për të ndërtuar një nënkalim, ku harron se ky bulevard ka vlerat e saj historike dhe aq më keq që ju si kandidat keni qenë kundra prishjes së teatrit të vjetër dhe historik! Prishja e kullave dhe evakuimi i banorëve dëgjohet më shumë për fushatë, pasi nuk mundet, në të kundërt lindin premisa për një luftë civile, ngaqë askush nuk i di se kush janë pronarët e vërtetë edhe pse i shikojmë çdo ditë nëpër ekranet televizive!
Me nerva të tendosura dhe me shpresën e prezantimit të kandidatit të radhës, ishte Gerti Bogdani që përmbysi imazhin jo pozitivë, që i dhanë parafolësit PD-ke. Ishte më i qartë në prezantimin e programit të tij të strukturuar!
Më tej e vazhdoi edhe kandidatja Enkelejda Fejzo, e cila ishte shumë e qartë në pikat e programit të saj, ku paralelisht do të punonte për të investuar në mirëmbajtjen e qendrave kujdestare aktuale dhe krijimin e atyre të reja, për brezat e fëmijëve në çerdhe e kopshte, pa harruar edhe hapjen e sa më shumë shkollave publike e profesionale, ku arsimimi do të jetë falas dhe i standardeve edukative nga më të kualifikuar të kohës, për t’i ardhur në shërbim kombit dhe konkurruar edhe në rajon e më gjerë,
Kjo i vjen në shërbim familjeve të Tiranës, duke ua bërë më të lehtë pasjen e kohës për të edukuar fëmijët, pët të punuar dhe patur një ekonomi më të fortë që ndikon tek harmonia familjare. Duke u ardhur në ndihmë brezave, padyshim që u ke ardhur në ndihmë edhe moshave të treta. Nëse fitohet ndaj ngritjes së një standardi të ri për arsimimin e brezave, është e sigurt edhe e ardhmja e tyre dhe si e tillë merr fund jo vetëm varfëria, por edhe do të ulë shumë ndjeshëm nivelin e korrupsionit në një shoqëri të ndërgjegjësuar, ku padyshim që edhe do të krijohet një atmosferë miqësore edhe për krijimin e bizneseve familjare dhe me tej.
Enkeleida Fejzo, karakterizohet nga një energji e fortë pozitive që i shkon deri në fund zbatimit të ligjit dhe vënien në jetë sundimit të këtij të fundit, si e tillë çdo shkelje e jashtëligjshme, do të përballet me ligjin.
Enkeleida Fejzo, me prezantimin e saj, të jep besimin se do të jetë një kryebashkiake e të gjithëve, pa diskriminuar askënd. Ajo është me të gjithë dhe me asnjë, pasi ajo është vetëm me të vërtetën dhe këtë të drejtë ia jep asaj dhe të gjithëve, vetëm zbatimi i ligjit duke qenë të gjithë të barabartë përballë kësaj shenjtërie!
Nëse kjo i fiton këto primare, është një vazhdimësi e sigurt edhe për të fituar më 14 maj!
Nëse nuk e votoni, nuk keni për ta përjetuar as edhe vazhdimësinë e emocioneve, të cilat do të materializohen dhe do të bëhen realitet, menjëherë vetëm pasi asaj t’i besohet drejtimi i Tiranës!