“Raporti i Robert Mueller nuk është fundi, është vetëm fillimi”, paralajmëron demokrati Jerrold Nadler, i cili akuzoi gjithashtu Prokurorin e Përgjithshëm, William Barr, për minim të Departamentit të Drejtësisë me qëllim mbrojtjen e presidentit.
Nadler, kryetar i Komisionit të Ligjeve në Dhomën e Përfaqësuesve, u shpreh se Barr ka treguar një gatishmëri të bezdisshme për të ndërhyrë në punën e këtij departamenti. Ai i quajti çorientuese komentet e kryeprokurorit, që deklaroi se presidenti ishte shfajësuar nga akuzat.
Raporti, sipas Barr tregoi se as Trump dhe as ekipi i tij nuk u bashkuan me Rusinë gjatë zgjedhjeve dhe nuk penguan më pas drejtësinë.
“Ne nuk i besojmë ato që thotë kryeprokurori”, u shpreh Nadler, i cili këmbënguli se, edhe në formën e tij të redaktuar, raporti tregon se ka prova shqetësuese se presidenti ka tentuar të ndërhyjë te drejtësia, e aty vërehen edhe parregullsi të tjera.
Raporti prej 248 faqesh i prokurorit të posaçëm Robert Mueller, për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, u bë publik të enjten. Ai mbulon një hetim 22-mujor që presidenti Trump e ka cilësuar në mënyrë të përsëritur si “gjueti shtrigash”. Hetimi nuk gjeti prova se grupi i fushatës së Trumpit është angazhuar në një konspiracion kriminal me Rusinë.