Kryesore Dëmtimet, shqetësimi i Sylvinhos: Me Ukrainën do luajmë për tre pikët

Dëmtimet, shqetësimi i Sylvinhos: Me Ukrainën do luajmë për tre pikët

Trajneri Sylvinho doli në konferencë për shtyp para ndeshjes Ukrainë-Shqipëri, të vlefshme për Nations League, për të komentuar gjendjen e skuadrës kuqezi, të cilës do t’i mungojë për shkak dëmtimi dyshja e qendrës së mbrojtjes së Europianit, Gjimshiti-Ajeti.

“Është moment delikat për futbollistët. Pas një Europiani, me shumë pak pushim, ndodhin dëmtimet. Ka shumë ndeshje, nuk është e lehtë. Shumë prej lojtarëve nuk kanë bërë pushime. Por, është mundësia për lojtarët e tjerë”, tha Sylvinho.

Në lidhje me kundërshtarët, trajneri u shpreh: “Është një grup shumë i vështirë. Ukrainën e kemi parë, trajneri Rebrov është i zoti, kanë lojtarë shumë të mirë në mesfushë, mbrojtje të fortë dhe portier të shkëlqyer. Është ekip i organizuar”.

Sa i përket Uzunit dhe Ismajlit, të cilët nuk luajtën asnjë minutë në Europian, por të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës, Sylvinho theksoi se nuk është i shqetësuar nëse do të jenë apo jo të motivuar për Nations League.

“Kombëtarja është e hapur gjithmonë dhe kushdo që vjen, ka dëshirën dhe motivimin e duhur. Nëse nuk ka dëshirë për të luajtur me fanellën e Kombëtares, nuk vjen fare. Uzuni dhe Ismajli janë shumë të karikuar, nuk kam fare merak”, theksoi Sylvinho.

“Të gjithë lojtarët janë gati. Ne sot kemi një stërvitje. Nuk ka nisur ende Arbër Hoxha ndonjë ndeshje nga minuta e parë, por e kemi ndjekur nga marsi. Aty nisi udhëtimi i tij në Kombëtare. Është shumë i rëndësishëm për ekipin, por të shohim”, theksoi braziliani.

Kur u pyet nëse do të luajë me skemën 4-2-3-1 apo 4-3-3, Sylvinho u përgjigj: “Ne për 1 vit e gjysmë kemi luajtur me 4-3-3 dhe 4-2-3-1. Ne i përshtatim skemat sipas karakteristikave që kemi te lojtarët. Mund të punojmë edhe me skemën 4-4-2. Uzuni mund të luajë sulmues qendror. Kemi lojtarë të fortë. Duke njohur karakteristikat e lojtarëve mund të përshtatim edhe skemat”.

Trajneri i Shqipërisë, u shpreh se nuk futet në fushë për rezultat tjetër përveç fitores.

“E kam thënë edhe më parë, në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë, na mjaftonte një barazim, por nuk mendoj se ka ndonjë trajner që mendon për barazim. Gjithmonë mendohet për fitore. Ne do futemi në fushë për të luajtur shumë fortë dhe për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.

 Të gjitha ekipet e grupit kanë luajtur në Europian. Aty është maksimumi. Liga e Kombeve është ndryshe. Jam i shqetësuar sepse lojtarët vijnë me pak ndeshje dhe pak pushime. E rëndësishme është që lojtarët të besojnë se duhet dhënë më e mira dhe të marrin maksimumin.”

Ndeshja Ukrainë-Shqipëri, do të luhet të shtunën e 7 shtatorit.