Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, njëherazi edhe lojtar i Chelseat në Premier League angleze, Armando Broja, ka reaguar për herë të parë që prej dëmtimit të tij horror në ndeshjen miqësore kundër Aston Villës, përballje që u zhvillua në Dubai, aty ku “blutë” e Londrës kishin shkuar për të bërë fazën e tyre parapërgatitore.
Në reagimin e tij në rrjetin social “Instagram”, Broja shkruan se është vërtet i lënduar që e ka mbyllur sezonin futbollistik në këtë mënyrë, megjithatë shton ai, ndihet i motivuar për një rekuperim sa më të shpejtë dhe një rikthim më i fortë se kurrë në fushat e blerta.
“Jam i shkatërruar që viti 2022 përfundoi në këtë mënyrë. Ka qenë tepër e vështirë që të procesoj gjithçka në ditët e kaluara, por jam i vendosur të rikthehem edhe më i fortë dhe më i mirë se më parë. Kjo është vetëm një hap pas, për gjërat e mira që do të vijnë në të ardhmen. Falënderoj të gjitha ata që më kanë dërguar mesazhet e tyre suportuese, vlejnë shumë për mua. Do kthehem së shpejti”, thotë Broja.