Rreth 40 për qind e bizneseve, kryesisht në sektorin e turizmit dhe karburanteve, janë gjetur me shkelje të legjislacionit tatimor, tha sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila prezantoi në një deklaratë për media, rezultatet e zbatimit të Planit Operacional Stop-Informalitetit
Denaj tha se, për periudhën në vijim, zbatimi i planit do të vazhdojë të shtrihet në të gjithë sektorët e konstatuar me risk: hoteleri-turizëm, hidrokarburet, produktet e akcizës dhe ndërtimit, ku fokus kryesor do të jetë koordinimi më i mirë i strukturave drejt zbulimit të evazionit në shkallë më të gjerë.
Sipas ministres, i gjithë plani operacional, synon formalizimin e ekonomisë shqiptare me qëllim që paratë e konsumatorëve të shkojnë për përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë publike dhe jo në xhepat e bizneseve abuzuese dhe tregtisë së padrejtë, të cilët cenojnë konkurrencën e ndershme dhe mirëqenien e individëve.
Ministria njoftoi se në, sektorin Hoteleri-Turizëm, nga administrata tatimore janë inspektuar rreth 2000 subjekte, ku kanë rezultuar me probleme rreth 40% e tyre.
Nga kontrollet e zhvilluara nga Inspektoriati i Punës, në 1,400 subjekte të inspektuara me 10 600 punonjës në total, 38% e tyre rezultojnë me probleme në sigurimin e punonjësve.
“Gjithashtu, në kuadër të procesit të formalizimit, jemi duke komunikuar me përfaqësuesit e platformës Booking.com, të cilët nuk kanë ende përfaqësues tatimorë në vendin tonë për të formalizuar procedurat e deklarimeve të subjekteve shqiptare të regjistruara në këtë platformë”, tha ajo.
“Karburantet kanë qenë gjithashtu në fokus të Planit Operacional dhe rezulton se janë bërë kontrolle nga Administrata Doganore në 231 subjekte. Ka nisur kontrolli në të gjitha magazinat e lira në Porto Romano dhe ka mbaruar kontrolli në 4 magazina të Gazit të Lëngshëm, ku në 2 prej tyre janë konstatuar shkelje dhe janë marrë sanksionet përkatës. Paralelisht Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), ka nisur procedurën e inspektimit të të gjitha pikave të gazit me kontrolle që do të vijojnë që nga magazinat e lira deri te pikat e mbushjes së gazit (autogazit)”, tha Denaj.
“Ndonëse vihet re ndërgjegjësim në sektorin e karburanteve, kemi nisur procesin e certifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve. Në gjuhën teknike procedura e “plumbçosjes”. Janë angazhuar në terren 7 grupe pune, të cilat do të asistojnë me këtë procedurë deri në fund të muajit Shtator, 1200 subjekte që operojnë në fushën e karburanteve.
Sektori i cigareve është gjithashtu ndër prioritetet tona, dhe jemi në fazën e investigimit përmes strukturave operative për të identifikuar pikat e shitjeve dhe fabrikat e përpunimit, dhe së bashku me strukturat e tjera ligjzbatuese po përgatisim një plan të detajuar veprimi, i cili do të zbatohet në periudhën në vijim.
Për produktet e tjera të akcizës, siç janë pijet alkoolike, vazhdojnë kontrollet në magazinat fiskale dhe si në rastin e subjektit të birrës dje, nuk do të ketë asnjë tolerancë për cilindo subjekt që abuzon dhe gjobat do të jenë shumë të rënda.
Në fushën e ndërtimit, nga sot ka nisur monitorimi i 160 subjekteve që kanë rezultuar me rënie në xhiro, janë përcaktuar gjithashtu 20 subjekte të mëdha në këtë fushë të cilat do të analizohen së bashku me specialistët nga Drejtoria e Krimit Ekonomik. Ndërkohë që vetëm për muajin korrik 2019 janë referuar në Prokurori, 10 subjekte me shkelje”, tha ministrja.
Denaj tha se, gjatë këtij muaji, do të angazhohen në terren 200 studentë të sapodiplomuar të përzgjedhur nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, të cilët do të asistojnë në terren Strukturat e Monitorimit të Administratës Tatimore në kuadër të Planin Operacional kundër Informalitetit përmes ndërgjegjësimit dhe monitorimit të subjekteve në fushën e Hoteleri-Turizmit. Këtë javë do të jetë gati aplikacioni Stop-Informalitetit.