Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka sqaruar qytetarët në lidhje me projektin e rindërtimit në segmentin Vlorë–Orikum, për të cilin kryeministri Edi Rama ka akuzuar presidentin Ilir Meta se po e bllokon.
“Mos e pengo Vlorën Ilir, se Vlora s’është ledh i LSI-së, po është konaku i Shqipërisë. Projekti financohet nga Fondi Saudit dhe është bllokuar nga Ilir Meta, për arsyen e kuptueshme kollaj fare nga çdo qytetar i Vlorës e i Shqipërisë, nëse ky s’është kaçak i LSI-së”, shkruan Rama krah videos së ministres, e cila sqaron projektin e rindërtimit në segmentin Vlorë–Orikum.
Ministrja Denaj theksoi se procesi i huamarrjes në Shqipëri është praktikë 30-vjeçare e MFE-së, ndërsa presidenti është informuar me dy shkresa në lidhje me procesin e huasë.
“Sot në vijim të qëndrimit të Metës, dua të sqaroj se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me përpikmëri hapat e nevojshëm në përputhje me kuadrin ligjor për procesin e huamarrjes në Shqipëri, që është praktikë 30-vjeçare e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Presidenti është informuar me dy shkresa në lidhje me procesin e huasë, termin e negocimin dhe arsyet e ndryshimeve të kërkuara”.
Duke sqaruar publikun Denaj thotë se nuk bëhet fjalë për një detyrim të ri financiar, por me të njëjtin fond të realizohet një projekt tjetër infrastrukturor.
“Në frymën e transparencës, banorëve të zonës sqaroj se nuk bëhet fjalë për marrjen përsipër të një detyrim financiar të ri jashtë parashikimeve buxhetore dhe termave financiarë të rakorduar më parë. Ky është një rialokim i një detyrim të siguruar më parë përmes një marrëveshje të ratifikuar në kuvend me ligj të veçantë.
Ajo që kërkohet të arrihet është që me të njëjtin fond e burim financiar të negociuar, të realizohet një projekt tjetër infrastrukturor në të njëjtin qark. Dakordësia me palën audite për të ndryshuar auditin, por jo termat financiarë”.
Sipas Denaj kur arrihet dakordësia grupi negociator është i panevojshëm. Ajo thekson se ky projekt është tërësisht në frymë, gërmë dhe qëllim të kushtetutës, nxit zhvillimin ekonomik dhe përmirëson jetën e qytetarëve.
“Ku qëndron kundërshtia me kushtetutën në frymë, gërmë apo qëllim? Në asnjë nga këto.
Në qëllim e frymë është i lexueshëm, është nevojë për rritje infrastruktore, përmirëson jetën e qytetarëve dhe nxit zhvillimin ekonomik. Në gërmë procedura është ligjore. Rasti përbën zbatim të instrumenteve ligjore në funksion të qëllimit të bazuar në dispozitat korrekte.
Sqaroj zyrën e presidentit se vetëm në kushtet kur projekt marrëveshjet përmbajnë parashikime të caktuara që institucionet nuk janë dakord me kushtet bazë me një institucion partner vetëm në këto raste ngrihen grupe negociatore. Kur arrihet dakordësia grupi negociator është i panevojshëm”.