Ligji i luftës është një prej çështjeve që nuk ka marrë ende zgjidhje mes Shqipërisë edhe Greqisë. Megjithatë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias u shprehën se edhe kjo do të zgjidhet. Rama tha se me heqjen e këtij ligji, patriotët nacional folklorik nuk do të kenë më arsye për t’u marrë.
“Çështjet e patriotizmit nacional folklorik nuk janë çështje të qeverive tona. Ministër edhe njëherë tjetër faleminderit me shumë respekt për angazhimin tuaj personal, me shumë respekt për gatishmërinë e kryeministrit për t’i dhënë një shtysë të re gjithë kësaj marrëdhënie dhe për ta vënë fuqinë e qeverive tona në funksion të popujve tanë. Kështu për të ndërtuar sëbashku për të ardhur në paqe dhe prosperitet për të gjithë. Dëshiroj që të them edhe diçka që nuk është ende një çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur, por është një diskutim pozitiv dhe së shpejti kam besim që do të përfundojë në mënyrë pozitive që është heqja e ligjit të luftës dhe pastaj pasi humbëm detin nacional folklorik patriotë do humbin dhe tokën dhe të gjejnë në ajër ndonjë çështjet dhe të krijojnë një subjekt për sesi Greqia po rrit emisionet e gazit në atmosferën shqiptare se në tokën dhe në det s’do të kenë më çështje për t’u marrë”, tha Rama.
Edhe Dendias mbështeti deklaratën e Ramës dhe tha se kjo gjë do të zgjidhet mes të dyjave palëve.
“Ne tani kemi referuar çështjen e ligjit të luftës. Zoti kryeministër, kjo gjë është anakronizëm dhe jam i sigurtë që edhe këtë gjë do ta zgjidhim sëbashku. Kam mundësinë ta them këtë gjë nga Tirana në opinionin publik shqiptar me urdhër të kryeministrit Mitsotakis”, tha Dendias.