Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, thotë se përmirësimi gradual i marrëdhënieve me Turqinë nuk do të jetë një çështje e lehtë. Në një intervistë për “Kathimerini”, e para pas konferencës së tensionuar për shtyp me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu, në Ankara të enjten e kaluar, Dendias thekson se “është e pamundur të fshihen nën rrogoz çështjet për të cilat dy vendet kanë qasje të ndryshme”.
Sidoqoftë, ai tregon se takimi, pavarësisht asaj që në këndvështrimin e publikut mund të jetë përplasje, mund të jetë kapitulli i parë i një përmirësimi gradual të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Takimi i radhës mes dy homologëve do të jetë ai i Athinës dhe do të jetë “paradhoma” e takimit midis kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.
A ishte konfrontimi publik me Mevlut Cavusoglu një pasqyrë e takimeve tuaja?
Po, patëm divergjenca me ministrin e Jashtëm turk, mikun tim Mevlut Cavusoglu, përkundër klimës shumë të mirë që ishte krijuar në diskutim. Secila palë shprehu pozicionet e saj, si gjatë bisedimeve dhe publikisht. Unë shtjellova pozicionet fikse të Greqisë, të cilat, në fund të fundit, janë të njohura. Padyshim që nuk kishte asnjë konvergjencë për disa çështje. Thënë kjo – dhe unë dua ta theksoj këtë – qëllimi i vizitës sime në Ankara, e para e një ministri të Jashtëm grek që nga viti 2015, ishte për të shqyrtuar potencialin për një axhendë pozitive me Turqinë, në mënyrë që të mund të bëjmë të mundur nisjen e një klime depërshkallëzimi, jo konsensusi. Shpresojmë që kjo afrim gradualisht të sjellë një përmirësim të dukshëm në marrëdhëniet dypalëshe – në të mirë të të dy fqinjëve dhe të dy popujve, të cilët, në fund të fundit, janë shumë të lidhur.
Qeveria e Mitsotakis gjithmonë është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe dhe marrëdhëniet BE-Turqi. Ne dorëzuam propozime specifike për këtë qëllim, për disa fusha të rëndësishme, të tilla si ekonomia, tregtia, transporti, energjia elektrike – edhe brenda kornizës së bashkëpunimit me Bullgarinë – telekomunikacionet etj. Ne gjithashtu propozuam që grupet përkatëse të punës, disa prej të cilave nuk janë takuar prej vitesh, të mblidhen. Dhe unë do të doja të theksoja se kjo iniciativë mori një përgjigje të menjëhershme nga pala turke, e cila gjithashtu paraqiti propozimet e veta, duke krijuar një kornizë të qartë brenda së cilës është i mundur një diskutim konstruktiv. Më lejoni të përsëris se edhe takimi me presidentin turk ishte pozitiv. Dua të theksoj edhe rëndësinë simbolike që i kushtojmë faktit që presidenti turk priti ministrin grek të Punëve të Jashtme.
Nga ana jonë – siç pritej – unë përsërita angazhimin tonë për të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat evropiane. Në këtë frymë, dhe përkundër mënyrës se si u portretizua konferenca për shtyp, unë do të doja të besoja se, siç thashë, se kjo vizitë mund të shërbejë si akti i parë drejt një përmirësimi gradual të marrëdhënieve me Turqinë. Nuk është çështje e lehtë. Ne do të duhet të punojmë së bashku për ta arritur këtë qëllim. Dhe ne nuk mund t’i fshehim nën rrogoz çështjet mbi të cilat kemi qasje të ndryshme. Ne duhet ta bëjmë punën, dhe kjo është arsyeja pse kontaktet do të vazhdojnë në nivelin politik. Unë ftova homologun tim turk, mikun tim Mevlut, të vizitojë Athinën në një datë për të cilën do të biem dakord. Ai takim mund të jetë një hap në përgatitjen e një takimi midis kryeministrit, z. Mitsotakis dhe presidentit turk, z. Erdogan.
A ka gjasa që të arrihet një marrëveshje për Egjeun dhe Mesdheun Lindor në këtë klimë, veçanërisht kur Turqia vazhdon të ngrejë çështje që për Greqinë janë vija të kuqe? A shihni një forcim të qëndrimit të Turqisë?
Unë nuk shoh një ngurtësim të pozicionit të Turqisë në çështjet në lidhje me Egjeun dhe Mesdheun Lindor. Por unë shoh një betonim të pozicioneve që ndahen nga e drejta ndërkombëtare. Diçka që e bën të vështirë, por jo të pamundur perspektivën e një marrëveshjeje. Nëse ne miratojmë rregulla të përbashkëta, pra nëse Turqia pranon Konventën e KB mbi Ligjin e Detit (UNCLOS), atëherë mund të shtrohet rruga për zgjidhje. Greqia tashmë ka arritur delimitimin e zonave ekonomike ekskluzive me Egjiptin dhe Italinë; dhe ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për ta çuar çështjen përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Çështja me të cilën jemi përballur me Turqinë deri më tani është se nuk ka asnjë bazë të përbashkët në lidhje me kornizën për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona. Kjo do të thotë, ndërsa Greqia ka vërejtur se zgjidhja e çështjes duhet të bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, në këtë rast me UNCLOS, e cila është pranuar nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, Turqia nuk e ka pranuar këtë kornizë dhe miraton qëndrime që janë të pabazuara dhe përtej kufijve të ligjshmërisë ndërkombëtare.
Unë vura në dukje ndryshimin e qasjeve tona në bisedimet me interlokutorët turq. Dhe ne ramë dakord të mos pajtoheshim, fillimisht, para konferencës së shtypit, në një klimë miqësore. Por, shpresoj se Turqia do të ndryshojë pozicionin e saj dhe do të rreshtohet me vendet e tjera.
Duhet të theksoj se vende të tilla si SHBA, të cilat nuk e kanë ratifikuar UNCLOS, ende e konsiderojnë atë një normë themelore në lidhje me çështjet e Ligjit të Detit, siç u theksua në samitin e fundit [midis Indisë, Shteteve të Bashkuara] të Japonisë dhe Australisë.
A është Mesdheu Lindor pjesë e negociatave të mundshme me Turqinë? A është në axhendën e bisedimeve eksploruese? Dhe, në lidhje me Libinë, a është inaktivizimi i memorandumit Turko-Libian opsioni më i mirë i mundshëm?
Më lejoni të jem të përgjigjem shkurt për pjesën e parë të pyetjes tuaj. Pozicioni ynë është që ne duhet të caktojmë zonën ekskluzive ekonomike dhe, duke zgjeruar shelfin kontinental, me Turqinë, si në Egje dhe Mesdheun Lindor, gjithmonë në bazë të ligjit ndërkombëtar. Kjo është çështja e vetme e diskutuar në bisedat eksploruese. Dhe ne po presim me padurim raundin e 63-të të bisedimeve, në Turqi.
Lidhur me “memorandumin” turko-libian, vura në dukje, si në bisedat e mia me zyrtarët libianë [javën e kaluar] dhe në Ankara, qëndrimin e qartë të miratuar nga Bashkimi Evropian që nga dhjetori 2019. Më lejoni ta theksoj këtë: Ky pozicion nuk është vetëm i Greqisë. Konsiderohet opinion i mbështetur nga të 27 anëtarët e BE-së. “Memorandumi” është i pavlefshëm, i paligjshëm dhe nuk mund të prodhojë rezultate ligjore.
Gjatë takimit tim të fundit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Libisë, z. Saleh, ai më tha drejtpërdrejt se ky “memorandum” nuk do të ratifikohet nga Parlamenti libian. Dhe ai gjithashtu përmendi një vendim të fundit nga një gjykatë libiane për këtë qëllim. Një vendim i bazuar në një rekurs parlamentar.