Bota Dendias, “shuplakë” Turqisë nga Tirana: T’i ndalohet eksporti i materialeve ushtarake

Dendias, “shuplakë” Turqisë nga Tirana: T’i ndalohet eksporti i materialeve ushtarake

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Tiranë nuk ka ngurruar të flasë edhe për Turqinë. Kreu i diplomacisë helene u shpreh se shteti turk ecën në krah të kundërt me vlerat europiane.

Ai u shpreh se i ka dërguar një letër eurokomisionerit Varhelyi se Turqia shkel unionin doganor dhe do t’i kërkojë KE-së tërheqjen e Turqisë. Me homologët e tij europianë, Dendias tha se ka theksuar nevojën që Turqisë t’i ndalohet eksporti i materialeve ushtarake pasi i përdor për të destabilizuar rajonin.

“Dua të nënvizoj se përkundrejt përpjekjeve që bëjnë vendet e Ballkanit Europian në kuadër të perspektivës europiane, një tjetër vend i rajonit tonë që është akoma vend kandidat për BE nuk po lëviz në këtë drejtim, madje lëviz në drejtim të kundërt. I referohem këtu fqinjit tonë, Turqisë. Turqia vijon të shkelë çdo ditë kriteret themeltare të integrimit në BE, qoftë politike, qoftë edhe ekonomike. Jam detyruar që t’i dërgoj një shkresë zoti Varhelyi duke theksuar se Turqia po shkel unionin doganor dhe duhet të shqyrtohet menjëherë marrja e masave për këtë gjë. Gjithashtu kam vendosur këtë çështje me keq ardhje madje që të ekzaminojë Komisioni të gjitha shkeljet në të gjitha dimensionet e tyre madje dhe në tërheqjen e unionit doganor si një ide e qartë kjo për shkeljet që krijon shteti turk. Kam theksuar gjithashtu edhe tek homologët e mi europianë, ministrat e jashtëm veprimet e fundit të cilat janë tepër shqetësuese në Mesdheun Lindor dhe theksova nevojën për ndalimin e eksporteve përkundrejt Turqisë sepse këto materiale ushtarake përdoren për veprime që destabilizojnë zonën tonë”, tha Dendias.

Greqia dhe Turqia janë prej disa muajsh në tensione të larta për shkak të zonave në Mesdheun Lindor. Ndërkohë kujtojmë që mediat greke kanë deklaruar se marrëveshja e 2009-s mes Shqipërisë dhe Greqisë u anulua për shkak të presionit të Turqisë. Këto akuza janë hedhur poshtë nga kryeministri Edi Rama.