Sport Dënim shembullor për Tiranën, gjithë sezonin pa tifozë

Dënim shembullor për Tiranën, gjithë sezonin pa tifozë

Kapsollat që u hodhën në drejtim të lojtarëve të tjerë të Vllaznisë teksa festonin golin e katërt të shënuar nga Gruda në sfidën e luajtur në Lushnje, e që bënë për spital Esat Malën, do t’i kushtojnë shtrenjtë Tiranës.

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka vendosur të dënojë ashpër klubin bardheblu, duke e detyruar që t’i luajë ndeshjet e mbetura në këtë sezon të Superligës, por edhe në Kupën e Shqipërisë pa prezencën e tifozëve.

Po ashtu Presidenca e Tiranës do të duhet të paguajë një gjobë prej 300 mijë lekësh për shkak të incidentit që ndërpreu për 15 minuta sfidën, e cila u mbyll me fitoren 2-4 të shkodranëve.

Esat Mala ishte më i dëmtuari, teksa nga raporti mjekësor që u lëshua nga mjekët në spitalin e Lushnjës, rezultoi me djegie dhe përkeqësim të dëgjimit.

“KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e lojtarëve të ekipit mik, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit futbollistik 2024-2025 pa spektatorë”, thuhet në njoftimin e FSHF.

Sakaq për sjellje të gabuar të spektatorëve, që kanë hedhur sende në fushën e lojës si dhe kanë ofenduar dhe fyer zyrtarët e drejtuesit e FSHF, “Disiplina” ka dënuar me 300 mijë lekë gjobë edhe klubin e Elbasanit, ndërsa për Skënderbeun gjoba për të njëjtin precedent, por edhe për ndezje flakadanësh e mjetesh të tjera piroteknike është 100 mijë lekë.