Gjyqësori italian të shtunën i dha një goditje të rëndë Ndrangheta-s, grupit mafioz më të fuqishëm në Itali, duke dënuar 70 anëtarë dhe ndihmës të tij, në gjyqin më të madh mafioz që nga fundi i viteve 1980.
Gjyqtari Claudio Paris lexoi vendimet e 91 të pandehurve në sallën e madhe të gjyqit të qytetit të Lamezia Terme, në Kalabri, në jug të vendit, ku që nga janari është zhvilluar një “maxi gjyq” në të cilin u gjykuan qindra persona të dyshuar se i përkisnin Ndrangheta-s apo se kishin bashkëpunuar me të.
Në gjyqin, i cili pritet të zgjasë të paktën dy vjet, 355 të pandehur të tjerë janë në pritje të gjykimit.
Hetimi zgjati disa vite dhe përfundoi me veprimet e policisë në dhjetor 2019.
Nëntëdhjetë e një persona të sapodënuar zgjodhën një gjyq të përshpejtuar që ishte i mbyllur për publikun, duke u lejuar atyre të ulet dënimi me një të tretën.
Prokurori i njohur antimafia, Nicola Gratteri – i cili jetoi nën mbrojtjen e policisë për më shumë se 30 vjet për shkak të një konfrontimi me Ndrangheta-n, tha se “gjithçka shkoi mirë të shtunën”.
“Nga 91 të pandehur, 70 u dënuan”, tha ai për agjencinë italiane të lajmeve AdnKronos, duke shtuar se “peshqit e vegjël” ishin liruar.
Disa u dënuan me dënimin maksimal të mundshëm prej 20 vitesh burg, i cili u kërkua nga prokurorët.
Midis tyre janë Domenico Macri, një anëtar i krahut ushtarak të grupit, Pasquale Gallone, krahu i djathtë i bosit të dyshuar të mafias Luigi Mancus, gjyqi i të cilit është ende në pritje, dhe Gregorio Niglia, i cili bleu armë dhe u përfshi në zhvatje.
Gati një e treta e grupit u dënua me dhjetë vjet ose më shumë dhe 21 persona u liruan, tha Gratteri.
Të pandehurit kryesorë që zgjodhën një gjyq të rregullt, ishin: Luigi Mancuso, 67 vjeç, i njohur si “Xha Luigi”, i cili konsiderohet lideri i klanit Ndrangheta që kontrollonte provincën e Vibo Valenti në Kalabri, si dhe ish-senatori e avokati Giancarlo Pittelli, 68 vjeç.
Ndrangheta, me qendër në Kalabri, provinca më e varfër e Italisë, kontrollon pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës që hyn në Evropë.
Rrjeti, i cili përbëhet nga afro 150 familje që luftojnë për një pozicion brenda organizatës, ka të paktën 6,000 anëtarë dhe ndihmës në Kalabri dhe mijëra të tjerë e mbështesin atë në mbarë botën, vlerësojnë ekspertët.
Të gjithë të dënuarit të shtunën u akuzuan për tentativë vrasje, pastrim parash, trafik droge, zhvatje dhe armëmbajtje pa leje.