Rasti ‘Beleri’ ka dëmtuar marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo është deklarata e ripërsëritur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në një intervistë që ka dhënë ditën e djeshme për Ski TV.
Megjithatë Mitsotakis është shprehur se do të presë vendimin e shkallëve të tjera të Gjykatës, pasi GJKKO e dënoi me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.
“Ne kemi shprehur rezervat tona të forta për faktin se ai nuk u lejua të betohet gjatë kohës që ishte në paraburgim dhe nëse ishte një proces i drejtë. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që nuk ka asnjë vendim përfundimtar, por një vendim të shkallës së parë”, tha Mitsotakis, ndërsa konfirmoi dhe ngërçin në politikën e jashtme mes dy vendeve.
“Mënyra se si Shqipëria e ka trajtuar këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë dhe kjo nuk është diçka që ne duam”, shtoi Mitsotakis, duke nënvizuar se ai ende shpreson se “kjo çështje do të zgjidhet”.
Gazeta greke Kathimerini shkruan se “Mitsotakis në thelb la të kuptohet se Athina pret një gjest vullneti të mirë nga pala shqiptare edhe në shkallën e dytë, pasi gjykata antikorrupsion do të duhet të vendosë për apelimin e vendimit të shkallës së parë nga Beleri”.
“Toni disi i butë i përdorur nga Mitsotakis u pa se ishte për shkak të taktikave agresive të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili pak ditë më parë denoncoi tentativat e pretenduara nga jashtë për të ndikuar në drejtësinë shqiptare”, shkruan gazeta greke.