Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme për dënimin e ish-ministrit Saimir Tahiri.
Basha vë në dukje se koha i dha të drejtë akuzave të PD-së.
“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin, dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Faktet e përfshirjes së tij në një grup të strukturuar kriminal, janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij. Saimir Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
“Sot, ne kemi një drejtësi të vonuar. Por ajo që është më e rëndësishme nuk është burgu i Saimir Tahirit apo dënimi Saimir Tahirit sesa kush është ideatori apo urdhëruesi i Saimir Tahirit. Ne jemi koshientë që të kanabizosh një vend të tërë dhe ta kthesh në një nga pikat më problematike të drogave të rënda të gjithë rajonit. Nuk mund të bëhet thjesht me urdhër të një ministri që e adhuronte shefin e tij, që ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.