Avokati i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Maks Haxhia, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se klienti i tij është i pafajshëm dhe vendimi i dhënë nuk është në bindjen e trupës gjykuese.
Sipas tij, gjithçka ka ndryshuar në dhomën e këshillimit, kur gjyqtarët u tërhoqën për të marrë vendimin.
“Në gjithë materialin e dosjes nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte çdo lloj akuze. Pse do ta dënonte? Këtë pyetje ja kemi bërë vetes. Unë them që ky vendim nuk është rrjedhojë. Në parantezë, të 3 ata gjyqtarë janë shumë të mirë, e njihnin dosjen në detaje, por vendimi nuk është i bazuar në atë çka ata e kanë bindje. Për mua ka ndodhur diçka në momentin që janë mbledhur në dhomën e këshillimit. Unë mendoj që atje ka ndodhur diçka. Unë nuk jam profeti, por unë analizoj.
Ne prisnim maksimumi të ishte vendimi që u dha në Shkallën e Parë, me shërbimin e provës, por unë mendoj dhe jam i bindur dhe e kam të provuar se ata që ndikuan i dolën të keqes përpara. Nuk e di kush ka ndikuar. Ky trup gjykues nuk shprehu vullnetin deri në fund. Gafa më e madhe që është bërë në këtë proces është që kur bën ankim i pandehuri dhe nuk ka ankim të palës tjetër, gjykata nuk mund të rëndojë pozitën e të pandehurit. Prokuroria kërkoi 12 vjet për 3 akuza për të cilat ishte dhënë pafajësia nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ankimi në apel nuk është bërë fare për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”, deklaroi ndër të tjera avokati Maks Haxhia.